Arbëri

Murati: Kontributi i diasporës çon në nivel rekord depozitat bankare në Kosovë

Në 4.88 miliardë euro ka mbërritur niveli i depozitave në sistemin bankar në Kosovë, në fund të muajit korrik, ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, në një shkrim në Facebook të enjten.

Për këtë ka sinjalizuar se ngritjet janë bërë kur ka qenë fluksi i madh i mërgimtarëve gjatë sezonit veror. 

“Vërehet është edhe kontributi i jashtëzakonshëm i mërgatës sonë në muajin korrik, atëherë kur edhe fillon ardhja masive e tyre në vendlindje, ku depozitat bankare shënojnë nivel rekord. Në fund të muajit korrik, niveli i depozitave në valutën Euro, ishte 4.88 miliardë euro”, ka shkruar Murati.

Sipas grafikës së paraqitur nga Murati, në fillim të vitit kishte rënie të theksuar të nivelit të dispozitave bankare, por trendi është kthyer në pozitiv, siç pretendon ministri i Financave, pas zbatimit të pakos mbështetëse për qytetarët në vlerë prej 100 milionë euro.

“Për shkak të rritjes së çmimeve e rrezikut të mbylljes së kufijve, qytetarët e bizneset nxituan të furnizoheshin me mallëra, gjë që shkaktoi një rënie të nivelit të likuiditetit në ekonomi. Mirëpo trendi kthehet në pozitiv në muajin prill, kur nis zbatimi i pakos mbështetëse për qytetarët në vlerë prej 100 milionë euro, ku përfituan familjet në asistencë sociale, punëtorët e sektorit publik e privat, pensionistët e studentët”, ka njoftuar ai.