Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murati: Duhet platformë për dialogun, Serbia vazhdon të jetë shumë armiqësore

Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim ka thënë se ideja e tryezës së partive politike është shumë e mirë por duhet të jetë më konkrete.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se ideja në thelb është e mirë.

“Ka vite që kemi kërkuar për të krijuar një tryezë, pasi gjithmonë kemi kërkuar që çështjet e mëdha t’i kalojmë duke biseduar. Një kërkesë të tillë e kishim bërë edhe ne, pasi një ide të tillë në parim e përkrahim shumë. Edhe ana procedurale është e rëndësishme, se kush po bën ftesën. Duhet të ulemi dhe të bisedojmë për çështjet qenësore të vendit”, ka thënë Murati.

Murati thotë se në tryezën e sotme në parim janë pajtuar se duhet të ketë një reformë zgjedhore.

“Në ftesë thuhej se do të diskutohej për çështjet e rëndësishme shtetërore, si dhe për zgjedhjet. Një pajtueshmëri parimore ishte se vendi ka nevojë për një reformë zgjedhore. Pasi do të na përsëriten problemet gjithmonë. Dhe u pajtuam se njëra prej çështjeve duhet të jetë reforma zgjedhore. Nuk pat ndonjë insistim se duhet të shkohet shpejtë në zgjedhje, takimi ishte shumë i relaksuar, dhe në suaza të korrektësisë, dhe të një ambienti që duhet të mbizotërojë në skenën tonë politike”, thotë ai.

Edhe Murati: Kushtetuta s’duhet të negociohet me Serbinë por të ndryshohet Arbëri Murati: Kushtetuta s’duhet të negociohet me Serbinë por të ndryshohet

Murati shton se, “ishte si një nevojë që të gjithë t’i shprehim qëndrimet tona. Por, të gjithë u pajtuam që për çështje të mëdha të pajtohemi paraprakisht. Kërkova që këto takime të jenë më të fokusuara”.

Ai më tutje ka thënë se nuk kemi nevojë të kemi platformë për ushtri, kemi nevojë të kemi platformë për dialog, por jo për ushtri. Në esencë nuk kemi nevojë të bëjmë platformë. Pjesa e luftimit të krimit dhe korrupsionit nuk ka nevojë që të kemi platformë, kjo duhet të dihet automatikisht, këtë duhet ta luftojë qeveria.

Kurse për platformën e Kadri Veselit ai thotë se, “ne e kemi quajt një shkresë, jo një platformë. Është hartuar ashtu një listë e objektivave, por i mungojnë shumë elemente. Ne kemi qenë shumë gjatë në bisedime me Serbinë duke bërë shumë lëshime. Nëse shndërrohesh shtet si Bosnja e Hercegovina atëherë nuk të vyen as ulësja në OKB. Ne duhet të kemi reciprocitet me Serbinë, nëse kërkojnë status special për komunat serbe në Kosovë, edhe ne duhet të kërkojmë për komunat shqiptare në Serbi”.

Murati thekson se Kosova nuk duhet të ngutet në raport me Serbinë, pasi kjo mund t’i kushtojë.

“Ne nuk na është dukur një dokument serioz, kemi kërkuar që kjo të ndryshojë. Mendoj se Kuvendi duhet ta shndërrojë në një platformë të vërtetë, e që mund të pasurohet edhe me tryezën e partive politike. Nuk duhet ne të ngutemi, sepse ngutia mund të na kushtojë, Serbisë mund t’i ngutet, por neve jo. Pjesa e thellimeve më të mëdha e anëtarësimit në BE duhet të vijë më vonë”, thotë ai.

Murati shton se Serbia është duke pasur qasje shumë armiqësore ndaj Kosovës, prandaj duhet të ulen dhe të diskutojnë.

“Ishte diçka e re për mua (krijimi i asociacionit pasi të bëhet anëtarësimi në OKB). Shteti nuk është vetëm sovranitet i jashtëm, me ulëse në OKB, por edhe ai i brendshëm dhe ne e kemi dëmtuar mjaft shumë. Nuk është duke ndodhur asgjë andej. Serbia vazhdon të ketë opinione shumë armiqësore ndaj Kosovës, sinjalet e saj janë të acarueshme ndaj Pavarësisë së Kosovës. S’ka ndonjë sinjal se Serbia do te bëjë ndonjë hap të mirë, prandaj s’duhet të ngutemi. Nëse ne pajtohemi për parimet, ndërtojmë një platformë të përbashkët, dhe është krejt e parëndësishme se kush e udhëheq, por nëse pajtohemi për hapat është shumë lehtë të ndërtohet ekipi. Është çështje krejt teknike”, shprehet Murati, transmeton Koha.net.

Edhe Murati: Kosova të fokusohet në ridefinim të kufirit me Serbinë, reciprociteti opsion rezervë Arbëri Murati: Kosova të fokusohet në ridefinim të kufirit me Serbinë, reciprociteti opsion rezervë

Murati nuk beson se dialogu do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Kush nuk do të donte që dialogu të përfundonte me një njohje reciproke. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë njohje nga Serbia, dhe rreziku është se për çka po lëshojmë pe. Ne asnjëherë nuk po e vendosim Serbinë në një pozicion të vështirë. Pse nuk provojmë ta shtrojmë çështjen e tyre, fillimisht të të drejtave reciproke, siç i kanë serbët në Kosovë t’i kenë edhe shqiptarët atje. Do të kërkohet një kushtetutë tjetër, pasi 5 përqindëshi e mban peng 95 përqindëshin, pra po flasim për të drejta absurde”, është shprehur Murati.