Ende nuk është bërë asnjë hap drejt përfshirjes graduale të strukturave shëndetësore dhe arsimore serbe në kuadër të institucioneve të Kosovës. Teksa përfaqësues serbë kërkojnë që procesi të zgjidhet nëpërmjet dialogut të Brukselit, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal thotë se çdo veprim do të ndërmerret në përputhje me Kushtetutën e ligjet shtetërore. E njohës të çështjeve politike theksojnë se Bashkimi Evropian duhet të ketë rol aktiv në jetësimin e nismës.
Iniciativa e Qeverisë për ta nisur integrimin gradual të sistemeve paralele shëndetësore dhe arsimore në kuadër të institucioneve të Kosovës ka mbetur pa veprime, që prej një muaj.
Asokohe, kryeministri Albin Kurti, në një takim me ambasadorë pati thënë se këtë proces synon ta realizojë në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe me komunitetin serb.
Në Qeverinë nuk treguan nëse në këtë funksion janë ndërmarrë hapa për koordinim me përfaqësuesit serbë.
E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se tema nuk është ngritur në takimin që ai e pati të premten me kryetarët e komunave me shumicë serbe.
“Nuk e kemi diskutuar këtë temë. Nuk e kam hapë as unë, nuk e kanë hapë as ata”, ka thënë Krasniqi.
Përfaqësues serbë, nëpërmjet një deklaratë, kanë dalë kundër çdo veprimi të autoriteteve për shkrirjen e këtyre institucioneve paralele në sistemin e Kosovës, teksa kërkuan që kjo çështje të zgjidhet vetëm në kuadrin e dialogut të Brukselit.
Por, në përgjigje të kësaj deklarate, ministri Krasniqi tha se do të respektohet vetëm ligji.
“Republika e Kosovës funksionon në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve aplikative. Ajo është baza mbi të cilën gjithçka në Kosovë do të funksionojë dhe duhet të funksionojë, kështu që gjithçka çka do të veprohet, do të veprohet në kuadër të kësaj kornize ligjore”, ka thënë Krasniqi.
Lidhur me çështjen, që prej një muaji nuk kanë dhënë qëndrim as nga Brukseli zyrtar.
Por njohësi i çështjeve politike, Dorajet Imeri, thotë se BE-ja nuk duhet të qëndrojë spektatore në këtë proces.
“Bashkimi Evropian nuk duhet të mbetet vetëm spektator në këtë proces, por duhet ta inkurajojë dhe ta mbështesë aktivisht integrimin, sidomos kur bëhet fjalë për konsolidimin institucional dhe funksionimin e rendit kushtetues”, ka thënë Imeri.
E njohësi tjetër i çështjeve politike, Basri Muja, vlerëson se Qeveria duhet të insistojë në implementimin e nismës, pasi e sheh si të dobishme edhe për qytetarët serbë, megjithëqë shton se ata mund të bëjnë rezistencë politike.
“Mendoj që është e pritshme që ata të rezistojnë politikisht, porse kjo nuk e pengon procesin. Mendoj që ajo çka duhet të bëjë Qeveria e Kosovës është që t’u garantojë vendet e punës qytetarëve serbë, t’u garantojë një sistem shëndetësor të qëndrueshëm dhe mendoj që kjo është në interes të tyre”, ka thënë Muja.
Institucionet paralele arsimore dhe shëndetësore funksionojnë ilegalisht në komunat me shumicë serbe, financim të Serbisë. Në mandatin e shkuar, Qeveria pati mbyllur disa institucione paralele, përfshirë zyra komunale, posta e ndërmarrje publike.