Përkundër paralajmërimeve për një pritje madhështore më 8 dhe 9 shtator në veri të Mitrovicës, presidenti serb Vuçiq mund ta anulojë atë.
Kësaj i ka prirë anulimi i takimit në Bruksel, transmeton KTV.
Megjithatë, veriu i Kosovës tash e sa ditë, ka bërë përgatitjet duke u mbuluar me flamuj të Serbisë.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverisë e Serbisë, Marko Gjuriq nga Brukseli konfirmoi se Vuçiqit nuk i është miratuar vizita në Ujman, derisa këtë e konfirmoi, duke publikuar në llogarinë e tij në Twitter, letrën e autoriteteve të Kosovës, të cilat kanë lejuar pjesërisht vizitën e Vuçiqit në Kosovë.
Në bazë të kësaj leje, atij i ndalohet të vizitojë Liqenin e Ujmanit.
Por, Gjuriqi është i bindur se Vuçiqi, nëse shkon në Kosovë, do ta vizitojë edhe liqenin e Ujmanit.
“Sa i përket vizitës së presidentit, më duhet t’ju them se është diskutabile nëse në këto rrethana duhet të shkojë apo jo. Në ekipin tonë, në parti, por edhe në qeveri , akoma jemi të ndarë. Presidenti sonte gjithsesi do të vendosë, mirëpo, nëse vendos të shkojë, atëherë është shumë e sigurt se do ta vizitojë liqenin e Gazivodës. Gjithsesi, është e sigurt se do të lëvizë lirshëm në territorin e Kosovës”, ka deklaruar Gjuriq, shef i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Ai i quajti gënjeshtar të gjithë politikanët në Prishtinë, duke thënë se kanë gënjyer edhe rreth ndalesës së tij që i është bërë në kufi, e po ashtu deklaratën e kryetarit të Kuvendit e quajti kërcënim dhe turp i pafund.
‘’Për cinizmin dhe gënjeshtrat e përfaqësuesve të Prishtinës do të flas më shumë në një rast tjetër. Ata kanë gënjyer edhe rreth vizitës sime, dhe nuk u ka mjaftuar kjo që Policia më ka kthyer nga kufiri, por kanë thënë se s’kam qenë fare atje. Mund ta pyesni këdo, ekzistojnë pamjet nga kufiri, të gjitha shërbimet i kanë ato. Kërcënimet të cilat kemi mundur t’i dëgjojmë nga kryetari i Kuvendit të përkohshëm të krahinës janë turp i pafund dhe kjo është arsyeja pse nuk duam të shohim ndonjërin prej tyre… dhe jeni të sigurt, nëse presidenti Vuçiq do të shkojë në Kosovë, nuk do të arrestohet”, është shprehur Gjuriq.
Mirëpo, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli dëshirën e Vuçiçit për të vizituar Ujmanin, e ka konsideruar të paarsyeshme, duke thënë se nuk e kupton qëllimin e kësaj kërkese, pasi sipas tij, në Ujman nuk ka asgjë për t’u vizituar.
Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Brukseli ka thënë se nuk do të lejojnë cenimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës nga askush.
KTV-ja merr vesh se sipas agjendës, Vuçiqi ishte paraparë që fillimisht të shtunën të vizitonte Ujmanin, Leshaku dhe Leposaviqin. Ndërsa, të dielën ai parashihej të qëndronte në sheshin Car Llazar, ku edhe do të përfundonte vizita e tij.