Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: BE nuk duhej të lejonte vizitën e Vuçiqit tek Ujmani

Vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë dhe respektivisht te liqeni i Ujmanit në veriun e Mitrovicës, është provokim dhe nuk është dashur të lejohej nga Bashkimi Evropian (BE), pikërisht për faktin se presidenti serb kishte thënë hapur se do ta vendosë çështjen e këtij liqeni në bisedimet me Kosovën në Bruksel.

Kështu vlerëson hulumtuesja Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila monitoron procesin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po ndodh me lehtësimin e Brukselit zyrtar qysh prej vitit 2011.

“Vizita e Vuçiqit në Ujman është provokim, sepse ai e ka thënë hapur që dëshiron ta vendosë në tavolinë bisedimesh këtë liqen. BE është dashur që të mos lejojë këtë vizitë në këtë moment, duke e ditur ndjeshmërinë por edhe pretendimin e Serbisë”, ka thënë Krasniqi për KosovaPress.

Tutje ajo tha se një e tillë vetëm sa tensionin situatën në këtë fazë “fragjile të bisedimeve”.

“Pala kosovare duhet të insistojë që BE-ja dhe shtetet mbështetëse të procesit të dialogut të mos mbështesin teket dhe presionet e Serbisë por të kërkojnë nga Serbia që të luajë rol konstruktiv. Kosova duhet të dëshmojë maturi duke pasur kërkesa të qarta në këtë proces që nuk lejon negociata që dëmtojnë shtetin e Kosovës, integritetin e saj territorial apo dhe funksionimin e saj të brendshëm kushtetues. Por që nëpërmjet këtij procesi kërkon njohje nga Serbia dhe hapje të perspektivës së qartë evropiane. Prandaj dhe duhet të ndërtohet një qasje unike shtetërore dhe të lobohet vazhdimisht për ruajtjen e interesit shtetëror të Kosovës”, ka thënë ajo.

Hulumtuesja e KDI-së, ndër tjerash tha se Serbia duhet të heqë dorë nga viktimizimi dhe duhet se dialogu është e vetmja për të zgjidhur çështjet e mbetura në mes palëve, për të garantuar paqe dhe stabilitet rajonal dhe për t’i ofruar qytetarëve perspektivë evropiane.

Edhe “Relaksimi” i Thaçit në Ujman nxit reagime nga serbët Arbëri “Relaksimi” i Thaçit në Ujman nxit reagime nga serbët

Prandaj liderët e Serbisë, sipas saj, duhet të heqin dorë nga kërcënimet dhe ushtrimi i presionit por duhet të respektojnë përgjegjësinë që kanë dhe obligimet që kanë, përfshirë obligimet për krimet e luftës.

“Të mos harrojmë të kaluarën e luftës së fundit në Kosovë dhe përgjegjësinë e Serbisë për krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Nëse vërtet lidershipi i Serbisë pretendon që është reformuar dhe beson në ndërtimin e raporteve paqësore me fqinjët e saj, duke i respektuar ata, atëherë këtë qasje duhet ta dëshmojë edhe në këtë proces të dialogut pasi përfitojnë vet qytetarët e Serbisë nga ky proces”, ka thënë ajo.