Arbëri

Muja: Asnjë qeveri s’mund ta parandalojë rritjen e çmimit të naftës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se asnjë qeveri nuk mund ta parandalojë rritjen e çmimit të naftës.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Muja tha se kjo ndodhë për shkak se nafta është produkt që importohet dhe çmimi i saj reflektohet mbi bazën e çmimit që ekziston në bursat ndërkombëtare.

I vetmi intervenim që mund të bëhet nga ekzekutivi në këtë rast, sipas tij është të shihet mundësia që përmes zbatimit të rregullave të konkurrencës së drejtë, të pamundësohet mungesa e elasticitetit të çmimit, siç ka ndodhur më parë.

“Sa i përket çmimit të naftës, e vërteta është që ky produkt importohet dhe duke qenë që importohet, çmimi shpeshherë reflektohet mbi bazën e çmimit që ekziston në bursat ndërkombëtare. E njëjta është edhe te energjia e importuar që ka pasur shtrenjtim në bursat ndërkombëtare, për atë arsye si tek energjia e importuar dhe nafta nuk mund ta parandalojë asnjë qeveri. I vetmi intervenim te produktet e naftës është që të shihet mundësia që në një mënyrë përmes zbatimit të rregullave të konkurrencës së drejtë, të pamundësohet mungesa e elasticitetit të çmimit dhe të vazhdojë edhe kur çmimet të bien, siç ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë ai.

Muja ka shtuar se hapi që duhet të merret tani është rishikimi i trendit dhe sipas tij, të gjitha parashikimet janë se presioni i inflacionit do të fillojë të zbutet gradualisht.

“Çka mendoj se duhet bërë tani është të rishikohet se si është trendi, të gjitha parashikimet janë se presioni i inflacionit do të fillojë të zbutet gradualisht, por është e rëndësishme që të mbahet vëmendja te grupet shoqërore që preken më së shumti”, ka thënë ai.


Muja: Gjatë vitit 2021 janë anuluar 158 milionë euro kontrata të dëmshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Armend Muja, ka thënë se gjatë vitit 2021 janë anuluar 158 milionë euro kontrata të dëmshme.

Muja ka thënë se Kosova ka bërë dukshëm hapa para me Qeverinë Kurti.

“Gjatë vitit 2021 janë hapur rreth 11 mijë biznese të reja. Në vitin 2021 ka pasur aktivitet të shtuar. Nëse vazhdon ky trend i formalizimit të ekonomisë dhe vendeve të punës, besoj se edhe vitin pasues do të kemi rezultate të ngjashme. Tjetra që dha efekte të menjëhershme është menaxhimi i parasë publike. Zotimi ynë ishte që kudo që ka mundësi të reduktohet keqmenaxhimi i parasë publike e të reduktohen kontratat e dëmshme. 158 milionë euro kontrata të dëmshme janë anuluar gjatë vitit 2021. Çdo shpenzim që është konsideruar luks është reduktuar”, ka thënë Muja në Interaktiv të KTV-së.

Ai për shpenzimet për karburante të deputetëve të Kosovës, ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes kanë hequr vullnetarisht dorë këto benefite dhe se me insistim të Vetëvendosjes kjo do të jetë nga java e ardhshme në agjendë të Komisionit për Buxhet.


Muja: Radojiçiq u sanksionua gjatë Qeverisjes Kurti, ai më parë pritej nga kryeministria

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, derisa ka folur për diplomacinë e Kosovës përgjatë 12 muajve të Qeverisjes Kurti, ka përmendur sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për disa figura kriminale në veri të Kosovës, ndër të cilët ishte edhe Milan Radojiçiq.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Muja tha se të njëjtit i janë vënë sanksione në kohën sa diplomacia udhëhiqet nga një ministër i Qeverisë aktuale, ndërsa ekzekutivet e mëparshme e kanë ftuar atë në takim, në zyrë të kryeministrit, duke iu referuar kështu Ramush Haradinajt sa ka qenë në pozitën e kreut të Qeverisë.

“Ka pasur diskutime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket procesit të vaksinimit dhe ka luftime të COVID-19. Për herë të parë Thesari i SHBA-së del specifikisht i paraqet dhe sanksionon të gjitha ato figura të errëta që kanë dominuar. Duhet të ju rikujtoj që nuk është më pak i rëndësishëm sepse Radojiçiqi të është ulur në kolltuk, kryeministri i Kosovës e ka ftuar atë të ulet në kolltuk, nuk është më ai Radojiçiqi që po vjen më në vizita, në fakt ai as nuk po qarkullon më në Kosovë. Pak para se të vijmë ne në pushtet, është pikërisht ky sistem që ia ka hequr aktakuzën Radojiçiqit. Janë disa shembuj të vegjël, por që flasin shumë”, ka thënë ai.

SHBA-ja muaj më parë ka ndërmarrë sanksione kundër grupeve të organizuara kriminale, përfshirë edhe grupin e Zvonko Veselinoviqit në veri të Kosovës.

Kohë më parë, kur Haradinaj ishte kryeministër i vendit, kishte pritur ne zyrën e tij Milan Radojçiqin.

Në këtë takim Ramush Haradinaj kishte kërkuar mbështetje për kryeministër nga njëri prej kriminelëve kryesor të veriut të Kosovës, i hetuar për krim të organizuar.