Analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se politikanët e Ballkanit që nga vitet ’90, e që nuk kanë qenë të harmonizuar me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë përfunduar në koshin e plehrave.
Duke komentuar këmbënguljen e kryeministrit Albin Kurti për çështjen e dinarit serb, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për shtyrje të vendimit, Muaxhiri ka thënë se është një kompromis të cilin do të mund ta bënte shefi i Qeverisë së Kosovës.
“Asgjë në Ballkan nuk është arritur, që nga vitet '90, kur një lider nuk ka qenë i harmonizuar me SHBA-në dhe BE-në. Ata që s’kanë qenë në frekuencë me ta, kanë shkuar në koshin e plehrave, ndërsa ata me qëndrime të njëjta kanë pasur karrierë të mirë politike. Kurti duhet të jetë më fleksibil, jo ta cenojë interesin e Kosovës dhe dinjitetin e vet, por të ishte më i gatshëm të bënte më shumë kompromise. Çfarë do ta dëmtonte shtetin e Kosovës nëse e shtyn afatin e dinarit edhe për dy muaj. Dhe pas tre muajve të thotë se për këtë kompromis që kam bërë, dua këtë. Pra, nuk është diçka që po kërkohet për pesë apo dhjetë vjet, por për dy muaj. Do të dilte prapë fitimtar”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Muhaxhirit, Kurti nuk mund të shkojë shumë gjatë me këto sjellje pasi mund të ketë pasoja.
“Të njëjtat pasoja që i ka nga BE-ja [sanksionet], mund t’i ketë nga SHBA-ja e vende të tjera. Dhe Kosova s’do të mund ta përballonte një gjë të tillë”, ka shtuar analisti politik.
Edhe
Muhaxheri për dinarin: Lojë politike të cilën Kosova e ka humbur
Derisa foli për seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten në mbrëmje ku u diskutua për situatën në Kosovë, Muhaxhiri ka deklaruar se nuk është e vështirë të kesh performancë të mirë kur ke përballë një Serbi gjenocidale. Por ka theksuar se një seancë e tillë ishte e shmangshme dhe e panevojshme.
“Seanca e mbrëmshme ishte e rëndësishme sepse ishte dueli i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit në OKB. Natyrisht që emocionaliteti dhe tifozëria ishin në maksimum. Pasi Këshilli i Sigurimit ka peshë të madhe simbolike, ndonëse nuk ka vendime konkrete, por sa i përket efektit politik ka ndikim të madh. Në përgjithësi, ishte ngjarje e rëndësishme. Në aspektin politik, mendoj ka qenë e shmangshme dhe e panevojshme. Mbledhjet e tilla e kanë një standard të vetin dhe nuk mund t’i ikin atij formati. Kurti pati përfaqësim të mirë dhe dinjitoz. Nuk është shumë vështirë të kesh performancë të mirë kur ke përballë një Serbi gjenocidale, kur e ke një Serbi që çka s’ka bërë. Ishte ai formati i ditur. Por edhe deklaratat e 15 anëtarëve ishin në vija të pozicionimit të tyre politike. Ato vende që na kanë njohur ishin më përkrahëse, ndërsa këto vendo që s’na njohin dihet”, ka thënë Muhaxhiri.
Muhaxhiri ka thënë se SHBA-ja shprehu konsistencë 100 për qind në deklaratat e saj edhe përmes ambasadores në OKB. Thotë se u rrëzua edhe një ide naive që ekziston në Kosovë.
“Për herë të parë, SHBA-ja pati kritikë të qartë, të drejtpërdrejtë për Kosovën për çështjen e dinarit. Ishte shprehje e konsistencës. 100% të njëjtë e pati deklaratën ambasadorja amerikane në OKB me deklaratën e ambasadorit Hovenier më 3 shkurt. Është edhe një shembull, sepse shpesh në Kosovë prezantohet një ide naive që ambasadorët në Kosovë e Serbi mund të bëjnë diçka personale, jo në koordinim me Departamentin e Shtetit. Ambasadorët nuk mund të marrin ndonjë vendim pa qenë në linjë me Uashingtonin”, ka thënë ai.
Edhe
Muhaxhiri: Dialogu dhe integrimi në BE s’mund të jenë dy procese të ndara
Muhaxhirit nuk i pëlqeu kërkesa e Kurtit për nënshkrim të marrëveshjes gjatë seancës në KS të OKB-së.
“Realiteti mes Kosovës dhe Serbisë është ndër më të komplikuarit në botë, edhe sa i përket historisë. Nuk mund të mbyllet në mënyrë të thjeshtëzuar. Kurti gabon që me një stil të tillë, aktrim të tillë, sepse të njëjtën gjë po e kërkon vazhdimisht [nënshkrimin e marrëveshjes] – nuk dihet çka është aty, çka duhet të nënshkruhet aty. Aty flitet edhe për Asociacionin, çfarë Asociacioni është? Marrëveshjet nuk bëhen në këtë mënyrë. Ka shumë detaje që duhet të negociohen. Është mirë për efekte militante [kërkesa për nënshkrim të marrëveshjes], por në përpjekje serioze, në përpjekjet amerikano-evropiane nuk ka kurrfarë efekti”, ka thënë ai.