Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se normalizimi i raporteve me Serbinë dhe integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk mund të jenë dy procese të ndara, ashtu siç ka kërkuar kryeministri Albin Kurti.
Kurti, në konferencë për media pas samtit “Ballkani Perëndimor takon BE-në” të mbajtur në Shkup të hënën, ka thënë se sa herë që i vjen mundësia kërkon që të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Por kjo, sipas Muhaxhirit, është e pamundur për shkak të peshës së jashtëzakonshme gjeostrategjik dhe gjeopolitike që ka normalizimi i raporteve me Serbinë.
“Kjo nuk është e mundur sepse normalizimi i raporteve ka peshë të jashtëzakonshme gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Gjithë bota demokratike po kërkon të arrihet një marrëveshje finale, të shkohet përpara dhe ta kalohet në një etapë të re. Për këtë arsye, kërkesa e Kurtit nuk do të pranohet. Është jorealiste sepse gjitha këto përpjekje ndërkombëtare do të pauzoheshin. Nuk besoj që as SHBA-ja dhe BE-ja mund ta bëjnë këtë. Të gjithëve iu intereson që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje. Pa këtë, nuk besoj se do të ketë ndonjë progres për integrim në BE”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Muhaxhiri ka thënë se Kurti duhet t’i lë këto lojëra politike dhe të fokusohet në marrëveshjen finale, pasi siç thotë ai, çdo vonesë është në dëm të qytetarëve të Kosovës.
Edhe
Shihet e pamundur ndarja e procesit të dialogut nga ai i anëtarësimit në BE
“Kosova është shumë larg integrimit në BE – në disa aspekte për faj të saj, në disa aspekte për faj të tjetër kujt. Gjitha këto vonesa po shkojnë në dëm të qytetarëve të Kosovës. Është një lloj mjegullnaje që e përcjell Kosovën qe mbi 20 vjet. Marrëveshja finale do ta qartësonte këtë pozicion dhe do t’i hapte rrugë integrimit. Kurti duhet ta tejkalojë vetveten, të mos ndalohet në këto lojëra të vogla politike sepse janë vetëm humbje kohe. Kosova s’ka kohë për të humbur”, ka shtuar Muhaxhiri.
BE-ja dhe SHBA-ja po këmbëngulin që marrëveshja finale të arrihet tash për shkak të “zgjedhjeve globale”, sipas Muhaxhirit.
“Këtë vit, do të ketë zgjedhje globale. 2.4 miliardë njerëz do të votojnë (SHBA, BE, Rusi e të tjera). Prandaj, BE-ja dhe SHBA-ja po kërkojnë që marrëveshja të arrihet tash, pasi nuk i dihet se çfarë njerëz do të ketë në krye të shteteve të forta pas zgjedhjeve. Në BE mund të vijnë në pushtet të djathtët, në SHBA po kryeson Donald Trumpi. Pra, për atë po kërkohet të përshpejtohet procesi”, ka deklaruar ai.
Muhaxhiri ka thënë se Kurti po bën “një hap para, dy mbrapa” në dialog.
Edhe
Kurti: S’po kërkojmë rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor për integrim në BE
“Nëse vazhdon me populizma, me këtë lojën politike – nuk mund të shkojë përpara. Rezultati do të jetë zero. Kosova është më së keqi në rajon me parametra ekonomikë e politikë”, ka thënë Muhaxhiri.