Si e pamundur për t’u jetësuar është vlerësuar thirrja e kryeministrit Albin Kurti që procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian të veçohet prej atij të dialogut me Serbinë. Teksa njohës të zhvillimeve politike i numëruan disa arsye që, sipas tyre, e shtynë Kurtin ta adresojë një thirrje të tillë, deklarata nxiti reagim përbrenda faktorit politik në Kosovë
Thirrja e kryeministrit Albin Kurti që procesi i dialogut me Serbinë të mos ndërlidhet me atë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), nga njohësit e zhvillimeve politike është parë si e pamundur.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se dy proceset në parim janë të ndara, porse ndërlidhen gjatë rrugëtimit të vendeve për t’u bërë anëtarë të bllokut evropian.
Ai thotë se është i patejkalueshëm kriteri politik që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
“As për Serbinë tashmë, as për Kosovën nuk do të ketë BE pa normalizim të plotë të raporteve. Për më tepër, kjo është bërë pjesë e procesit negociues për Serbinë, kapitulli 35, ku marrëveshja e Ohrit tashmë është bërë pjesë integrale e këtij materiali dhe mbi këtë bazë nuk do të ketë BE për Serbinë pa normalizim të plotë me Kosovën”, ka thënë profesori Hoti.
Pikëpamjen e njëjtë e ndan edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri. Ai i ka thënë në emisionin “60 minuta” të KTV-së se normalizimi i raporteve me Serbinë dhe integrimi i Kosovës në BE, nuk mund të jenë dy procese të ndara.
“Kjo nuk është e mundur sepse normalizimi i raporteve ka peshë të jashtëzakonshme gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Gjithë bota demokratike po kërkon të arrihet një marrëveshje finale, të shkohet përpara dhe të kalohet në një etapë të re. Për këtë arsye, kërkesa e Kurtit nuk do të pranohet”, ka thënë Muhaxhiri. “Është jorealiste sepse të gjitha këto përpjekje ndërkombëtare do të pauzoheshin. Nuk besoj që as SHBA-ja dhe as BE-ja mund ta bëjnë këtë. Të gjithëve iu intereson që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje. Pa këtë, nuk besoj se do të ketë ndonjë progres për integrim në BE”.
Një ditë më parë, në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të BE-së e SHBA-së në Shkup, kryeministri Kurti kërkoi që Serbia të mos bëhet pengesë në rrugëtimin evropian të Kosovës.
“E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as Perëndimin, as demokracinë”, ka thënë kryeministri.
E Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Politike dhe Juridike, thotë se ekzistojnë disa faktorë që mund ta kenë shtyrë kryeministrin ta paraqesë këtë kërkesë. Mes tyre, ajo i përmend moskonstruktivitetin e Serbisë karshi dialogut dhe mundësinë e lehtësimit të kritereve të parapara për anëtarësim, shkaku i konfliktit në Ukrainë.
“Qeveria e Kosovës ka frikë që në rast se Kosova bëhet vend kandidat ose përparon, në të ardhmen ky proces mund të jetë pengesë ose mund të jetë shkaktar i bllokimit të Kosovës në këtë drejtim, sepse, rikujtoj se sikurse ne që jemi të kushtëzuar me përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, edhe Serbia është e kushtëzuar me përparimi në këtë drejtim në rrugën e saj evropiane, pra, në kapitujt relevantë”, ka thënë Loxha.
Lidhur me kërkesën e Kurtit, ka reaguar të martën ish-kryeministri, Avdullah Hoti. Ky deputet i LDK-së e akuzoi qeverisjen aktuale për degradim të procesit të integrimit evropian.
“Tani kur është bërë dëmi, kur Kosova po vuan nga sanksionet e Bashkimit Evropian që kanë bllokuar rreth 300 milionë për projekte të ndryshme, në Shkup kryeministri kërkon që të shkëputet procesi i integrimit evropian i Kosovës nga Marrëveshja e Ohrit. Gjithë ai aparat qeveritar, me gjithë ata këshilltarë e me presidenten juriste, si nuk e kanë kuptuar gropën ku kanë rënë me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit? Është e kuptueshme tani injorimi që u bën BE-ja kur kërkojnë të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Për ecjen përpara në procesin e integrimit evropian, faktori ndërkombëtar u ka kërkuar në vazhdimësi Kosovës e Serbisë që të shënojnë përparim dhe rezultate konkrete nga dialogu.