Arbëri

Muhaxhiri: Nëse arrin marrëveshje me Kurtin, Limaj do të dukej i dobishëm për shtetin

Artan Muhaxhiri

Sociologu Artan Muhaxhiri ka thënë se në rast të arritjes së një marrëveshjeje midis kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ky i fundit do të dukej i dobishëm për shtetin. 

Të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, Muhaxhiri ka thënë se nga kjo marrëveshje më së shumti do të përfitonte Limaj. 

“Në rast të arritjes së marrëveshjes, Limaj do të dukej si një person konstruktiv dhe i dobishëm për shtetin dhe vendin, sepse askush nga të tjerët nuk po bën. Z.Limaj do të ishte fitues për disa arsye, e para – ai ka një parti të vogël dhe nuk mund të pretendojë për ndonjë pushtet të madh, e dyta – z.Kurti dhe liderët tjerë do të humbisnin në raport me z.Limaj sepse do të dëshmohej që ata kokëfortësinë dhe mungesën e vullnetit për ta bërë një hap para nuk e kanë në raport me këtë. Gjithsesi mendoj se nëse z.Limaj dëshiron të bëjë diçka të madhe, duhet të sakrifikojë. Mendoj se nëse shkon në qeverisje klasike me z.Kurti, do të gabojë”, ka thënë ai.

Muhaxhiri ka shtuar se situata e krijuar nuk ka më asnjë kuptim. 

“Kjo situatë nuk ka më asnjë kuptim dhe natyrisht që çdo indikacion, çdo isharet që thotë populli, sado i vogël që po punohet për një zgjidhje është i mirëpritur. Të shohim, z.Limaj që nga fillimi ka qenë i gatshëm të bashkëpunojë me z.Kurti, në bazë të deklaratave ka pasur një ndarje sa i përket postit të kryeparlamentarit. Nuk besoj se do të heqë dorë nga kandidimi i znj. Albulena Haxhiu”, është shprehur ai.