Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë kuotën e emërimeve politike dhe do të ofrojë saktësi të dispozitave si dhe siguri juridike për diplomatët e karrierës, ka thënë të shtunën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovë, në një njoftim pas punëtorisë së grupit punues për rishikimin e këtij ligji.
Sipas njoftimit, në takimin e fundit u shqyrtuan komentet e fundit të draftligjit para se ai të dërgohet për konsultim dhe miratim në Qeveri.
“Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë ndjeshëm kuotën e emërimeve politike dhe do të ofrojë saktësi të dispozitave si dhe siguri juridike për diplomatët e karrierës. Ky ligj do të krijojë një shërbim të jashtëm funksional, efikas dhe të bazuar në llogaridhënie precize”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Njoftimi thekson se ministrja Meliza Haradinaj-Stublla ka “ofruar mbështetjen e plotë të saj anëtarëve të Grupit Punues, që drafti final i këtij Ligjit të jetë profesional me synimin që të eliminojë çdo mundësi për keqinterpretim të tij, siç ka ndodhur në të kaluarën, dhe të zvogëlojë dukshëm kuotën e emërimeve politike në diplomaci”.
“Me këtë rast Ministrja Haradinaj-Stublla tha se ky është momenti i duhur që ky ligj të miratohet sa më shpejtë, marrë parasysh nevojën për përshtatjen me aktualitetin e ri në politikën e jashtme, si dhe faktin se Shërbimi i Jashtëm funksionon me ligje të miratuara para dymbëdhjetë viteve”, thuhet më tej në njoftim, me Haradinaj-Stubllën që ka thënë se me këtë ligj eliminohen “boshllëqet dhe paqartësitë aktuale që lejojnë keqzbatimin dhe interpretimin e pasaktë”.
Edhe
Kuota për diplomatët politikë do të zbresë në 30 për qind
Në fund të njoftimit theksohet se ligji do të ketë si dispozitë kalimtare edhe vettingu diplomatik.
Emërimet politike në shërbimin e jashtëm e kanë përcjellë Kosovën qe disa vite. Së fundmi, bujë bënë emërimet e disa konsujve, e të cilët dolën të jenë familjarë apo të afërm të politikanëve kosovarë. Më i përfoluri ishte Flakron Shala, i biri i deputetit Haxhi Shala. Ai ishte caktuar konsull në Pragë, ndërsa pas raportimit të KOHËS, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani kishte shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm. Në arsyetimin e Presidencës ishte theksuar se në këto raste konsullatat e përgjithshme, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme nuk hapen në të njëjtin qytet ku ndodhet ambasada.
-
Shoqata Sindikale e MPJD-së kërkon ndryshim legjislacioni, rritje pagash e gradim
-
Ministria e Jashtme synon t’i disiplinojë diplomatët përmes “Inspektorit Diplomatik”
-
Projektligji për Shërbimin e Jashtëm mundëson më shumë emërime me çelës politik
-
Sindikata e Shërbimit të Jashtëm: Ligji për Zyrtarë Publikë dhe ai për Paga na trajton padenjësisht