Ministria e Punëve të Jashtme ka pezulluar dhënien e gradave diplomatike për anëtarët që kishin shprehur interesim në avancim. Ky vendim vjen disa ditë pas anulimit të konkursit për nëpunës konsullorë, ku garës ia kishin mësyrë familjarë e bashkëpartiakë nga subjekti të cilit i takon ministrja Meliza Haradinaj.
Nëpërmjet një njoftimi elektronik, të cilin e ka siguruar KOHA, zyra e sekretarit të Ministrisë ka njoftuar të interesuarit se thirrja për gradime është anuluar deri në përmbylljen e rishikimit të plotë funksional të shërbimit të jashtëm.
“Ju kërkojmë ndjesë për çdo paqartësi eventuale që kjo mund t’ju ketë shkaktuar”, thuhet në njoftim. “Megjithatë, me qëllim të pranimit dhe adresimit të të gjitha kërkesave dhe trajtimit të barabartë të të gjithë anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, Komisioni për Grada dhe Disiplinë, ka vënë në dispozicion email adresën: [email protected], për pranimin e kërkesave në formë elektronike”.
Ministria nuk ka treguar veprimet që do t’i ndërmarrë në funksion të rishikimit funksional, i cili u paralajmërua vetëm pas raportimit për emërimet e jashtëligjshme të konsujve të përgjithshëm. Katër prej tyre u shkarkuan nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, përfshirë dekretin për Flakron Shalën, që është djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala.
Ministria e Punëve të Jashtme po ashtu nuk ka ofruar përgjigje në pyetjet e KOHËS nëse do të ketë rishikim të gradave, për të cilat KOHA ka raportuar se janë dhënë në mënyrë të paligjshme.
Grada për familjarët e partive në pushtet
Ligji për Shërbimin e Jashtëm thekson se gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi. Elementet kryesorë në dhënien e një grade për anëtarin e shërbimit të jashtëm janë koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës.
“2. Përveç gradës ambasador, gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, thotë ligji.
Aktualisht MPJ ka më shumë ministra këshilltarë - rreth 50, sesa këshilltar, sekretar të parë, të dytë apo të tretë. Gradat e ulëta janë dhënë kryesisht me komision, kurse të lartat me vendime të ministrit/es duke e anashkaluar komisionin.
Kryesisht janë graduar njerëzit e afërt me partitë në pushtet, për të cilët janë shpikur edhe pozita që nuk parashihen me legjislacionin aktual. KOHA ka raportuar se gradën më të lartë në shërbimin diplomatik - atë të ambasadorit e ka marrë Astrit Zemaj, i cili është vëllai i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Pas marrjes së titullit, menjëherë është propozuar përfaqësues i Republikës së Kosovës për vendet e Bashkimit Evropian (BE), nëpërmjet misionit diplomatik të Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës. Kjo është bërë, pavarësisht faktit se Kosova ka ambasador në Bruksel (8 korrik).
Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Delfin Pllana, jashtëligjshëm e në konflikt interesi është ngritur në gradë diplomatike. Më pas me kërkesë të Qeverisë, ish-presidenti Hashim Thaçi e ka konfirmuar për ambasador. Sipas burimeve, gradën më të lartë diplomatike e ka marrë edhe Frymëzim Isufaj, i cili është dekretuar konsull i përgjithshëm në Nju-Jork.
Gradimet e jashtëligjshme u konstatuan edhe nga auditori i përgjithshëm
Shkeljet e shumta në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të cilat ka raportuar vazhdimisht KOHA, janë konfirmuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditorit. Në raportin e fundit për këtë dikaster konfirmohet se ish-ministri Behgjet Pacolli kishte emëruar konsuj që nuk ishin anëtarë të shërbimit të jashtëm, pa konkurs dhe pa kaluar në komisionin për grada ashtu siç përcaktohet me rregulloret e Ministrisë.
Në mënyrë të jashtëligjshme, Pacolli kishte emëruar gjashtë konsuj në misione diplomatike, të cilët ishin pjesëmarrës në konkursin e marsit të vitit 2019, mirëpo nuk ishin propozuar nga komisioni përzgjedhës. Të njëjtit persona nuk kanë kaluar përmes komisionit të gradave. Ndërkaq tre të tjerë janë emëruar pa konkurse dhe pa qenë anëtarë në shërbimin e jashtëm.
Sipas auditorit, këto emërime kanë ndodhur nga papërgjegjësia e Ministrisë për t’i ndjekur dhe respektuar kërkesat e përcaktuara ligjore.
Auditori po ashtu ka identifikuar se komisioni i vlerësimit me datën 5 korrik 2019, i kishte propozuar ministrit listën me 15 kandidatët e përzgjedhur, me ç’rast ministri me vendim e kishte aprovuar listën e kandidatëve të cilët edhe ishin pajisur me akt emërime.
Pas ardhjes në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca kishte shfuqizuar vendimet për emërimin e konsujve të jashtëligjshëm. Ndërkaq, pasardhësja e Konjufcës, ministrja aktuale, Meliza Haradinaj, ka rishqyrtuar ligjshmërinë e këtyre vendimeve, por asnjëherë nuk është publikuar vendimmarrja rreth tyre.