Kërkesat e KOHËS për sqarimin e shumë vendimeve, paligjshmëria e të cilave është vërtetuar nga institucionet e tjera - Ministria e Jashtme i ka kualifikuar si përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen e tyre.
Kjo është e pavërtetë.
KOHA në vazhdimësi ka raportuar në mënyrë profesionale për shkeljet ligjore të cilat janë mbështetur në dokumente, shpesh të siguruara në rrugë jozyrtare për shkak të mungesës së transparencës nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Edhe pse u është ofruar mundësia e përgjigjes para botimit për secilin rast dhe vendim, të shumtën e rasteve nuk janë ofruar sqarime për shkeljet.
Përveç KOHËS, paligjshmëritë gjatë qeverisjes së ministres Meliza Haradinaj janë konfirmuar edhe nga Sindikata e MPJD-së, Presidenca e Kosovës dhe institucionet e tjera që kanë rrëzuar vendimet e ministres.
Pas raportimeve të KOHËS, vitin e kaluar, katër dekrete i shfuqizoi ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Në mesin e tyre, ishte edhe vendimi për emërimin e Flakron Shalës si konsull i përgjithshëm në Pragë, që është djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala. I gjithë procesi ishte zhvilluar në mënyrë jotransparente dhe në koordinim vetëm me ish-presidentin Thaçi.
MPJD-ja asnjëherë nuk është deklaruar rreth shfuqizimit të këtyre dekreteve, edhe pse u janë dërguar pyetje. Vendimmarrjen e fshehtë të tyre e konfirmoi më pas edhe kryeministri në detyrë, Hoti, duke thënë se nuk ishte informuar për emërimin e Shalës.
Ministria e Punëve e Jashtme u tërhoq edhe nga konkursi për rekrutimin e 15 nëpunësve në misione konsullore, për të cilin KOHA pati raportuar se në garë janë familjarë e eksponentë të AAK-së, si dhe ish-anëtarë të PSD-së, parti me të cilën AAK-ja kishte garuar në zgjedhje më 2019. Mes atyre që ia kishin mësyrë garës për diplomate ishte edhe Anita Haradinaj - bashkëshortja e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Shkeljet gjatë emërimeve dhe gradimeve kryesisht të eksponentëve që kanë lidhje me partitë në pushtet dhe duke anashkaluar procedurat dhe rregullat ligjore, përveç KOHËS i ka konstatuar edhe Shoqata Sindikale e Ministrisë së Jashtme. Klandestine dhe jotransparente i ka quajtur kjo shoqatë gradimet, të cilat janë dhënë me vendim të ministres dhe pa rekomandim të Komisionit për Grada dhe Disiplinë.
I tillë është konsideruar edhe gradimi i Astrit Zemajt, që është vëllai i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, e për të cilin pati raportuar fillimisht KOHA. Për të ishte shpikur edhe një pozitë që nuk ekziston në ligj, duke e emëruar ambasador për vendet e Bashkimit Evropian, me seli në Bruksel. Duke shkelur ligjin, gradat i janë dhënë edhe Frymëzim Isufajt, Jetish Jasharit dhe Delfin Pllanës.
Shkeljet janë përmbledhur në një raport prej 13 faqesh, me të cilin Shoqata e ka njoftuar ministren e Jashtme, Meliza Haradinaj, ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kryeministrin Hoti, Komisionin për Punë të Jashtme, si dhe Auditorin e Përgjithshëm. Aty është kërkuar anulimi i gradave dhe kthimi i ligjshmërisë në Ministrinë e Jashtme. Ministria e Jashtme nuk ka dhënë shenja se do ta kthejë ligjshmërinë teksa e kishte akuzuar edhe drejtorin e Shoqatës, Agron Maloku, se ka për qëllim denigrimin e shërbimit të jashtëm.
Për fund, të shtojmë edhe se mbetemi të “mahnitur” (edhe pse jo të befasuar) me arrogancën që shfaq MPJD-ja në komentet e veta kur ligjëron se cila është detyra e mediave dhe paralajmëron KOHËN se “nuk është e as nuk do të jetë pjesë e vendimmarrjes së brendshme për mirëfunksionimin e MPJD-së”!
Jemi të “mahnitur”, sepse pas kaq shumë vitesh në institucione qeverisëse të shtetit të Kosovës ende punojnë njerëz që publikisht refuzojnë llogaridhënien, derisa sajojnë situata të paqena për të arsyetuar veprimet e veta të paligjshme e të pahijshme! KOHA kurrë nuk do të dëshirojë të marrë pjesë në vendimmarrje, por KOHA asnjëherë nuk do të tërhiqet nga detyra që ka, të vëzhgojë e të hetojë atë vendimmarrje, ashtu që publiku të shohë qartë se kush dhe si udhëheq me vendin në emrin e tyre.
Por, siç e thamë, nuk jemi të befasuar – sepse me këtë gjuhë dhe këtë diskurs ndaj medias dhe publikut, shohim qartë se në institucione kemi njerëz që shërbimin publik e kuptojnë si privilegj dhe sillen hapur sikur institucioni i shtetit, në këtë rast MPJD-ja, është pronë e tyre private!
Redaksia