Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja thërret mbledhjen e Këshillit Drejtues për veprimet e ardhshme

pdk

(Artikull i përditësuar, 16:45) - Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të mbledhë edhe Këshillin Drejtues për të finalizuar “qëndrimet dhe veprimet e saj politike”, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të mërkurën u dha afat 34 ditë deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri ose vendi shkon në zgjedhje të reja.

Pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, PDK-ja ka thënë se e respekton vendimin e Kushtetueses dhe se për të bërë të qarta veprimet e ardhshme politike do ta ftojë edhe mbledhjen e Këshillit Drejtues.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Partia Demokratike e Kosovës sot zhvilloi një mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, ku u diskutuan gjerësisht zhvillimet aktuale politike në vend. PDK e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili qartëson hapat e ardhshëm institucional. Duke marrë parasysh situatën politike aktuale, Kryesia e PDK-së në ditët në vijim do të thërrasë mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku do të formalizohen qëndrimet dhe veprimet e saj politike. PDK do të njoftojë në ditët e ardhshme opinionin publik për datën, kohën dhe rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Drejtues.

Ndërkaq në një deklaratë për gazetarët, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se në këtë mbledhje “do të diskutohet për aktualitetin e rëndë politik”

“Ne e patëm mbledhjen e përbashkët të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar të PDK-së. Vendimi ynë është që do ta thërrasim mbledhjen e Këshillit Drejtues brenda pak ditësh, ku do të diskutojmë për aktualitetin e rëndë politik në Kosovë dhe ku do t’i marrim vendimet për veprimet e ardhshme politike që na presin. PDK-ja respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe besoj që për secilin që e ka njohur dhe ndjekur aktivitetin politik të PDK-së, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ne asnjëherë nuk është çështje diskutimi”, ka thënë ajo.


PDK-ja mbledh Kryesinë pas vendimit të Kushtetueses, Hamza: S’kam pranuar ftesë nga Kurti

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për takim, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

“Jo, nuk ka ftesë”, ka thënë Hamza para mbledhjes së Kryesisë së partisë, raporton Ekonomia Online.

Ai, ka thënë se PDK e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse në këtë vend duhet të respektohen vendimet e gjykatave, posaçërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Sot kemi mbledhje të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar. Ditëve në vijim presim me pas edhe mbledhje të Këshillit Drejtues, do t’i diskutojmë qëndrimet tona, pozicionin tonë dhe sigurisht se mbi bazën e vendimeve të organeve të Partisë Demokratike të Kosovës ne do të dalim zyrtarisht me qëndrimin tonë”, ka shtuar Hamza.

Ndërsa, i pyetur se a janë të gatshëm për ndonjë kompromis sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, Hamza ka deklaruar se çdo gjë që flasin para diskutimeve me organet e partisë nuk është gjë ë duhur.

“Gjithçka çka flasim para diskutimit në organet e PDK-së nuk është e duhura për shkak se ato janë për ata me i diskutuar, t’i debatojmë, me marrë vendime dhe të qëndrojmë në ato vendime”, ka thënë ai.

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë kohë Kuvendit 34 ditë për ta zgjedhur presidentin e ri të shtetit. Në të kundërtën, sipas aktgjykimit të publikuar të mërkurën, Kuvendi shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.

Nëse nuk do të ketë president brenda kësaj periudhe të përcaktuar nga Kushtetuta, atëherë bazuar në afatet e përshkruara në aktgjykim, deri më 7 qershor qytetarët duhet t’i drejtohen kutive të votimit.

Me gjithë reagimet politike se dekreti ishte ose jo kushtetues, Presidenca pas aktgjykimit ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani e ka “mirëpritur” aktgjykimin e Kushtetueses, nëpërmjet të cilit i është rrëzuar dekreti për shpërndarjen e Kuvendit. Megjithëkëtë, në deklaratën e lëshuar pas shpalljes së aktgjykimit, është thënë se ai “konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”.