Arbëri

Ministria e Jashtme shkeli ligjin me rastin e pezullimit të drejtorit, detyrohet ta kthejë atë

Pozita më me peshë në Ministrinë e Jashtme, e cila përbën urën lidhëse mes ambasadave dhe Ministrisë ka marrë epilog me vendimin e fundit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Pas një beteje me ankesa, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka detyruar MPJD-në ta kthejë Albert Prenkajn në pozitën e drejtorit dhe t’i kompensohet paga e humbur nga dita e pezullimit. Pyetjeve rreth betejës ligjore me drejtorin, MPJD-ja u është përgjigjur duke e akuzuar KOHËN se po tenton të ndikojë në vendimmarrjen e brendshme të këtij institucioni

Albert Prenkaj ka fituar betejën ligjore me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe nga 22 shkurti është kthyer në pozitën e drejtorit të Ministrisë. Pozita më me peshë në Ministrinë e Jashtme, e cila përbën urën lidhëse mes ambasadave dhe Ministrisë ka marrë epilog me vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Mbështetur në ankesën e Prenkajt, Këshilli ka hedhur poshtë vendimet e qershorit, gushtit dhe nëntorit të vitit të kaluar. Nëpërmjet tyre, ambasadori ishte larguar nga zyra duke ia ndaluar gradimin deri në pesë vjet. Përveç kthimit në pozitën e mëparshme, Prenkajt i kompensohet paga e humbur nga dita e pezullimit.

“Bazuar në vendimin e KPMSHCK-së, zv. sekretari i MPJD-së ka nxjerrë vendimet me datë 22.02.2021: Nr. Ref. 38/2021, 39/2021, 40/2021, për ekzekutimin e vendimit të KPMSHCK-së në bazë të ankesës A.nr. 403/2020, me ç’rast: “shfuqizohen vendimet: Nr. Ref. 94/2020, 222/2020, rikthehet dhe fillon realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij, kompensohet paga e humbur nga dita e pezullimit...”, shkruan në vendimin e sekretarit të MPJD-së për kthimin e Prenkajt.

Prenkaj e ka kualifikuar diskriminues dhe të padrejtë largimin e tij.

“Vendimi ka qenë i pabazë dhe diskriminues, duke dëmtuar memorien institucionale të MPJ-së, gjë që e ka vërtetuar KPMSHCK-ja. Ky është tregues i mirë i fitores së ligjshmërisë mbi dëshirat e kundërligjshme të ndërsyera politikisht nga cilido...”, ka theksuar Prenkaj.

Pavarësisht mundësisë për ankimin e vendimit të Këshillit, në MPJ nuk kanë treguar nëse do ta bëjnë këtë. Por ankesa eventuale nuk e ndal ekzekutimin e vendimit.

Pyetjet e KOHËS, MPJD-ja i interpreton ndërhyrje në vendimmarrjen e tyre

Pyetjen nëse do ta vazhdojnë betejën ligjore me Prenkajn, zyra për informim e MPJ-së e ka kualifikuar si tentim të KOHËS për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes brenda institucionit.

“Secili veprim e vendim i MPJD-së ka qenë, është e do të jetë në akordancë të plotë me ligjin. MPJD-ja është transparente dhe e hapur për të gjitha mediat dhe opinionin publik, por kjo nuk nënkupton që një medium i caktuar, në këtë rast Grupi KOHA të bëhet pjesë e vendimmarrjes së brendshme”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

“Pra, ky grup duhet ta ketë të qartë se nuk është e as nuk do të jetë pjesë e vendimmarrjes së brendshme për mirëfunksionimin e MPJD-së. Si medium e ka për detyrë që ta informojë opinionin saktë e të mos e shtrembërojë të vërtetën”.

Me qasje të njëjtë janë përgjigjur edhe kur janë pyetur nëse ministrja Haradinaj është duke komunikuar me Prenkajn.

“Siç e theksuam më lart, MPJD-ja nuk ka pse ta ndajë vendimmarrjen e brendshme me asnjë palë, pra as me ju. Komunikimet e brendshme, vendimet e veprimet, janë pjesë e punës normale të MPJD-së, ku roli i Grupit KOHA në këtë rast është mirë-informimi i opinionit publik e jo keqinformimi e dezinformimi siç po vazhdon ta bëjë. Ne kërkojmë nga KOHA të mos i kërkojë përgjigjet tona vetëm sa për sy e faqe, siç po ndodh vazhdimisht. Por ato, edhe nëse demantojnë pretendimet e tyre, të përfshihen në kronikat që kanë të bëjnë me punën e MPJD-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkaq Prenkaj ka thënë se ka komunikim me sekretarin, ndërsa me ministren Haradinaj ende nuk e kanë pasur rastin.

Drejtori Prenkaj ishte pezulluar nga detyra me arsyen se ka refuzuar kërkesën e ministres për të marrë pjesë në një video-konferencë me shefa të misioneve diplomatike; Ia ka ngritur zërin një këshilltareje të ministres; si dhe nëpërmjet një statusi në Facebook ka dëmtuar imazhin e Kosovës, kur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur “autokrat”, pas vendimit për ta rrëzuar Teatrin Kombëtar.

Prenkaj pati thënë se nuk ka pasur reagime zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë drejtuar MPJD-së në Kosovë, përkitazi me statusin për kryeministrin Rama.

Me vendim të ministres Meliza Haradinaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ishte caktuar Visar Fetaj. Pas rikthimit të Prenkajt, Fetaj është kthyer në Departamentin për Bashkimin Evropian.