Arbëri

Ministria e Jashtme risistemoi zyrtarët nëpërmjet rregullores së jashtëligjshme

MPJDhttps://www.koha.net/arberi/426579/serbia-insiston-se-vrasja-e-policit-ishte-e-planifikuar-kosova-e-quan-propagande

Rregullorja mbi të cilën Ministria e Punëve të Jashtme nxori disa vendime për risistemim të zyrtarëve është kontestuar përmes një aktgjykimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ka anuluar vendimin për shuarjen e pozitës së drejtorit në MPJD. Derisa në MPJD nuk kanë ofruar sqarime lidhur me pasojat e këtij vendimi, përfaqësues të opozitës kanë thënë se tani do të duhet shfuqizuar edhe vendimet e tjera që, sipas tyre, janë nxjerrë në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm

Një aktgjykim i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka konstatuar të jetë në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, rregullorja mbi të cilën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nxjerrë dhjetëra vendime për sistemim. Themelorja e ka konstatuar këtë gjatë vendosjes së ankesës së ish-drejtorit të përgjithshëm në MPJD, Albert Prenkaj, pozita e të cilit është shuar pas riorganizimit të brendshëm.

Kësisoj, Gjykata Themelore e ka anuluar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil që kishte konfirmuar vendimin e MPJD-së për shuarjen e pozitës së Prenkajt, duke e kthyer çështjen në rivendosje.

“Rregullorja nr.01/2022 është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe në kundërshtim të plotë me vetë nenin 4 të kësaj rregulloreje, sepse në njërën anë nuk parashihet pozita e drejtorit të përgjithshëm e në nenin 9 është përcaktuar në mënyrë decidive pozita e drejtorit të përgjithshëm në MPJ, andaj vendimi i të paditurës është në kundërshtim të plotë me nenin 48, paragrafi 2, të Ligjit për Administratën e Përgjithshme, sepse një arsyetim që është dukshëm i pamjaftueshëm, i paqartë, kundërthënës. Prandaj, bazuar në dispozitat e lartcekura konsiderojmë se ky vendim përmban shumë shkelje ligjore duke i përfshirë shkeljet materiale dhe gjithashtu përmes këtij vendimi nuk është bërë vërtetimi i drejtë dhe i plotë i gjendjes faktike që paraqet shkelje tjetër”, shkruan në arsyetimin e vendimit. “Rregulloret nxirren për implementimin e Ligjit dhe duhet të jenë në pajtim me ligjin. Po ashtu e paditura duke vepruar në mënyrë jo të drejtë iu shmanget Ligjit për shërbimet e jashtme të Republikës së Kosovës, sepse është një ligj special dhe nuk mund të shfuqizohet me asnjë akt nënligjor dhe me asnjë ligj tjetër”.

Sipas aktgjykimit, e paditura në këtë rast Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, me rastin e nxjerrjes së këtij vendimi të kontestuar nuk iu ka referuar drejt Ligjit nr.06/L-133, për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të agjencive të pavarura, e që në nenin 3 parasheh që administrata ushtron veprimtarinë e saj në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe legjislacionit të zbatueshëm të Kosovës.

“Vendimi i kundërshtuar është juridikisht i paqartë dhe kundërthënës me vetveten dhe me arsyetimin e tij. Fillimisht gjykata konstaton se me vendimin e atakuar refuzohet ankesa e këtu paditësit, kurse në arsyetimin e saj konstatohet se KPMSHCK-ja nuk ka kompetencë lëndore që të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të natyrës së tillë dhe se në kuptim të nenit 54 të Ligjit për Zyrtarët Publikë referon edhe kundërshtimin me mjete juridike për çdo veprim apo mosveprim të organit të punësimit në kundërshtim me këto dispozita ligjore”, shkruan në arsyetim.

“Vendimet u nënshkruan nga personi i paautorizuar”

Pavarësisht vendimit të Themelores, MPJD-ja e ka pezulluar Prenkajn deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e Komisionit Disiplinor.

E Prenkaj, përmes një përgjigjeje me shkrim ka deklaruar se brenda MPJD-së ekziston një grup i organizuar që për qëllim ka të shkaktojë konfuzion mes institucioneve dhe drejtësisë, si dhe t’i frikësojë zyrtarët e diplomatët.

“Para nxjerrjes së rregullores në fjalë, stafi drejtues i MPJD-së, pra drejtorët e departamenteve nuk janë konsultuar fare. Rregullorja është punuar nga një grup me asnjë përvojë në punët administrative dhe menaxheriale të shërbimit të jashtëm. U janë dhënë prioritet orientimeve që në asnjë formë nuk mund të jenë prioritet i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Është shuar Drejtoria e Përgjithshme si pozicion menaxherial në mes kabinetit, departamenteve politike, ambasadave të Kosovës dhe ambasadave të huaja në Kosovë”, ka thënë Prenkaj.

Ai ka theksuar se është shuar departamenti më i rëndësishëm i krijimit të politikave, që është Departamenti Rajonal, duke i dhënë orientim politikës së jashtme në Subsaharë e në gjeografi të tjera.

“Arsyetimi i nxjerrjes së kësaj rregulloreje është se ajo u bazua në Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke pretenduar se ky ligj suprimon të gjitha aktet e tjera, përfshirë Ligjin për Shërbimin e Jashtëm që është një nga ligjet organike shtetërore, gjë të cilën e vërteton Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës: A.nr.1142/2022, numri i lëndës: 2022: 092229, datë: 20.03.2023, Numri i dokumentit 04100866, i cili APROVON si të bazuar kërkesë paditësit dhe ANULON vendimin e KPMSHCK-së A. nr.216/2022 datë 14.04.2022”, ka potencuar Prenkaj.

Duke qenë se Ligji për Zyrtarët Publikë përcakton se si dhe cili nivel mund të ushtrojë detyrën e zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm, dhe cili është afati i ushtrimit të detyrës së zëvendëssekretarit të përgjithshëm, gjegjësisht sekretarit të përgjithshëm, sipas Prenkajt, dokumentet e nënshkruara nga i ashtuquajturi zëvendëssekretar i përgjithshëm, bazuar në kornizën ligjore janë nënshkruar nga person i paautorizuar dhe i jashtëligjshëm.

“Për më tepër, vendimet e nxjerra nga niveli më i lartë udhëheqës i Ministrisë tashmë janë subjekt i shqyrtimit të organeve të drejtësisë: KPMSHCK, prokurori, gjykatë, Ombudsperson, Agjencia Antikorrupsion. Besoj se së shpejti institucionet kompetente do ta vërtetojnë këtë shkelje”, ka thënë Prenkaj.

Në kuadër të risistemimit brenda MPJD-së ishte transferuar edhe udhëheqësi i Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, njëherësh kryetar i Shoqatës Sindikale të MPJD-së, Agron Maloku, në Ministrinë e Shëndetësisë. Edhe pas dy vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, që i kërkoi ministrisë fillimisht t’i shterojë mundësitë për sistemimin brenda MPJD-së, ky institucion nxori vendim të njëjtë për transferim në Ministrinë e Shëndetësisë. Tani Maloku ka deponuar kallëzim penal ndaj MPJD-së në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Musliu-Shoshi: Themelorja konfirmoi shkeljet ligjore

MPJD-ja për më shumë se një javë nuk ka ofruar përgjigje lidhur me pasojat e aktgjykimit të Themelores dhe nëse do të ketë rishqyrtim të vendimeve të tjera, që janë nxjerrë mbi bazën e atij dokumenti.

E, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme thonë se ky aktgjykim do të prodhojë pasoja edhe për vendimet e tjera në emër të rregullores së re.

“Kur ministrja Gërvalla ka raportuar në komision në shkurt të vitit të kaluar, ia kam tërhequr vërejtjen ministres duke i thënë se nuk mundesh që aktet nënligjore me i fut në sistem pa kaluar ligji i ri për shërbimin e jashtëm dhe ka mohuar se ajo është në funksion. Por, në tetor kemi kuptuar se rregullorja po aplikohet, pra ka qenë e pasinqertë me anëtarët e Komisionit”, ka thënë Musliu-Shoshi. “Tani kemi të bëjmë me shkelje ligjore të cilat kanë ndodhur për më shumë se një vit brenda Ministrisë. Më vjen shumë mirë që Gjykata Themelore veç e ka konfirmuar atë që ne e kemi ngritur si opozitë në vazhdimësi. Tash çka do të ndodhë është se të gjithë ata nëpunës civilë dhe staf administrativ të cilët kanë qenë të punësuar dhe jashtëligjshëm i ka shkarkuar nga detyra, i ka shkarkuar nga pozitat, i ka suspenduar nga puna, i ka kthyer nga misionet tona diplomatike... do të detyrohet që t’i rikthejë në pozitat që kanë pasur dhe t’i marrin pagat në mënyrë retroaktive”.

Sipas saj, Ministria e Jashtme është vonuar në procedimin e ligjeve, të cilat do ta trajtonin edhe çështjen e sistemimit.

“Kemi shtyrje trevjeçare të projektligjeve themelore për funksionim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, siç është Ligji për shërbimin e jashtëm, Projektligji për diasporën, Projektligji për protokollin e shtetit, projektligji për ministrinë e punëve të jashtme”, ka potencuar Musliu-Shoshi.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu, e cila është deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, por ajo nuk është përgjigjur.

Gërvalla: Kemi pasur drejtorë që nuk dinin gjuhë të huaja

Ministrja Gërvalla në raportimin e javës së shkuar në Komisionin Parlamentar tha se fuzionimi i dy ministrive ka sjellë probleme, teksa tregoi arsyet se pse disa drejtorë i largoi.

“Funksionimi paralel i dy ministrive edhe pse në fakt formalisht nuk kanë ekzistuar ka ballafaquar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me shumë probleme. Ndërsa në njërën anë kemi krijuar departamente të reja, jemi ballafaquar me një problem shumë serioz. Drejtorët të cilët kanë qenë në krye të departamenteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk kanë përmbushur as kushtet ligjore për të qenë drejtor i një departamenti”, ka thënë Gërvalla në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, më 7 prill. “Kushti që më së shpeshti e kemi hasur dhe është shkelur është që një drejtor departamenti në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës duhet të flasë një gjuhë të huaj. Ka qenë hendikep shumë i madh, prandaj jam detyruar që të liroj nga detyra disa nga drejtorët të cilët pastaj janë akomoduar në institucione tjera në të njëjtin nivel horizontal dhe të kryejnë detyrat e tyre”.

Por shoqata sindikale brenda MPJD-së, e cila prej fillimit ka kontestuar rregulloren e miratuar, e ka quajtur fushatë hakmarrëse pezullimin e Prenkajt dhe transferimin e Malokut në një ministri tjetër.

“Shoqata Sindikale kishte organizuar një protestë paqësore para objektit të MPJD-së si reagim ndaj veprimeve kundërligjore dhe z. Prenkaj i autorizuar nga Këshilli ekzekutiv i shoqatës u ishte drejtuar medieve në emër të protestuesve anëtarë të Shërbimit të Jashtëm. Shoqata Sindikale shpreh shqetësim për arsye se e drejta e organizimit të protestës paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe akte ligjore në fuqi dhe është e ndalueshme të cenohet e drejta e organizimit sindikal e aq më tepër të ketë reperkusione dhe persekutime për një aktivitet të tillë”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Sipas SHSASHJ-së, Ministria e Jashtme ka bërë përpjekje që nëpërmjet procedurave disiplinore t’i cenojë të drejtat e zyrtarëve publikë për t’i shfrytëzuar mjetet juridike. Ajo përmendi edhe thyerjen e zyrës së Prenkajt, marrjen e arkivit dhe të vulës.

“Shoqata Sindikale u bën thirrje Avokatit të Popullit, Prokurorisë së Shtetit që të veprojnë në drejtim të hetimit të shkeljeve të së drejtës së organizimit sindikal nga ana e menaxhmentit të MPJD-së dhe të drejtës së shfrytëzimit të mjeteve juridike të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi”, kanë thënë në shoqatë.

Sistemimi i ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës pati shkaktuar dyfishim të pozitave brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

MPJD-ja ishte arsyetuar se dyfishimi i posteve është paraqitur pas bashkimit të dy ministrive, “sepse ka pozita drejtuese tek departamente/divizione të ndryshme, të cilat kanë pasur drejtor/udhëheqës me aktemërim edhe në ish-MPJ edhe në ish-MDIS”.

Për këtë çështje ishte themeluar edhe Komisioni i ristrukturimit, detyra e të cilit ka qenë që t’i rekomandojë të gjithë zyrtarët sipas aktemërimeve që mbajnë dhe kritereve të pozitave të reja se ku duhet të sistemohen.

Por ministrja Gërvalla i kishte sistemuar ish-zyrtarët e Ministrisë së Diasporës, edhe para miratimit të rregullores së re. Vendimmarrjen e kishte kundërshtuar edhe Shoqata Sindikale, sipas së cilës pa miratimin e dokumenteve relevante, ministrja nuk ka pasur të drejtë të fillojë me transferimin e zyrtarëve.

Pretendimet për shkelje ligjore janë ngritur edhe pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Prokurorisë së Shtetit, ku Shoqata ka kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së emërimeve të Gërvallës.