Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPJD-ja përmbyll vitin 2021, me strategji për njohje të reja

MPJD

Vitin 2021 Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka përmbyllur me hartimin e një strategjie për njohje të reja.

Kjo është e arritura që zëvendësministri Kreshnik Ahmeti, e ka paraqitur në tryezën “Vjetari i politikës së jashtme të Kosovës në vitin 2021 – Sfidat dhe rruga përpara”, që është organizuar nga organizata “PIPS”.

“Ideja jonë ka qenë që ta analizojmë secilin shtet që nuk e njeh Kosovën dhe të ndërtojmë një qasje më sistematike drejt raporteve me këto shtete. Aty ku mund të bëjmë hapa të mëdhenj të bëjmë, ndërsa aty ku nuk mundemi, të bëjmë hapa të vegjël”.

Ai tha se kanë pasur vizita në vende që nuk e njohin Kosovën, por se sipas tij, nuk është në dorën e Kosovës se kur ato vende vendosin të na njohin si shtet.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se në politikën e jashtme duhet një dinamizëm dhe efikasitet më i madh.

“Qëndrimi ynë për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme nuk ndryshon sa herë ndryshojnë qeveritë. Ne duhet të reflektojmë stabilitet dhe parashikueshmëri, është e rëndësishme që në çështje të politikës së jashtme të ketë bashkërendim, unitet, konsistencë dhe parashikueshmëri”.

Edhe Qeveria me strategji për njohje të reja, “s’ka më moratorium” Arbëri Qeveria me strategji për njohje të reja, “s’ka më moratorium”

Ndërsa sipas profesorit të Universitetit të Dublinit, Gëzim Visoka, në rrafshin e politikës së jashtme nuk ka pasur shumë zhvillime ose arritje të matshme të karakterit veçues.

“Ka qenë një sfidë për Qeverinë me u njohtë si bëhet qeverisja. Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë përpjekje për të rishikuar vendimet paraprake për të shikuar ku jemi. Ka qenë një vit diagnostikues për qeverinë dhe shumë energji qoftë në fushën e jashtme apo të brendshme, është kaluar në familjarizimin në qeverisje”.

Ndërsa zëvendësministri Ahmeti, ka folur edhe sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Pas përfundimit të moratoriumit njëvjeçar të nënshkruar në Uashington, për mospalikim për anëtarësim, Ahmeti ka thënë se tani nuk është në dorën e Qeverisë se kur do të dorëzojnë aplikacione, pasi sipas tij, secila organizatë ka afatet dhe procedurat e saj.