Arbëri

Kosova në defensivë – synon mbrojtjen e njohjeve ekzistuese

Që prej marrjes së mandatit nga qeveria Kurti, ndër prioritet kryesore ka qenë forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar, me mision të posaçëm – arritjen e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Por, në mungesë të njohjeve të cilat mbetën nën hijen e dialogut me Serbinë, fokusi është kthyer te mbrojtja e atyre ekzistuese, për të cilat zyrtarët serbe pretendojnë se ia kanë anuluar Kosovës. Në presidencë thanë se është vetëm një rast, për të cilin nuk kanë ende përgjigje sa i përket rikonfirmimit të njohjeve

Në mungesë të njohjeve të reja, liderët e shtetit e përmendën si arritje mbrojtje e atyre që tashmë i kanë ardhur Kosovës, e të cilat Serbia po tenton t’ia anulojë.

Në fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani deklaroi se është arritur të rikonfimohen gati 100 për qind të rasteve ku Serbia pretendon se ua ka ndërruar qëndrimin ndaj Kosovës.

“Kemi arritur suksesshëm të rikonfirmojmë gati 100 për qind të njohjeve për çdo rast kur Serbia pretendonte kinse çnjohje të shtetit tonë”, ka thënë Osmani të premten e javës së kaluar.

KOHA kërkoi nga Presidenca informacione përkitazi me mënyrat që janë përdorur në konfirmimin e njohjeve dhe nëse kjo është bërë me nota verbale.

Në këtë institucion thanë se konfirmimet janë marrë përmes takimeve bilaterale e multilaterale.

“Shumica e aktiviteteve lobuese të Presidentes Osmani janë publike dhe janë të prezantuara në uebfaqen e Presidencës. Siç e përmendi vetë Presidentja Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës, gjatë këtij viti, ka realizuar afro 200 takime në nivele të ndryshme (krerë shtetesh, qeverish e organizatash), ndaj në të gjitha takimet fokusi ka qenë rikonfirmimi i këtyre njohjeve, por edhe lobimi për njohje të reja”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.

Ai ka theksuar se, secili takim i Presidentes, qoftë në vizita zyrtare, apo forume multilaterale është shfrytëzuar maksimalisht për arritjen e këtyre objektivave.

“Duke e pas parasysh ndjeshmërinë, nuk mund të japim detaje për secilin nga takimet, sepse ka raste të takimeve me shtetet jonjohëse, por të cilat në këtë fazë nuk bëhen publike. Komunikimi diplomatik ka një masë konfidencialiteti, ndaj duhet t’i përmbahemi. Presidentja Osmani, si gjithnjë, mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë që në çdo takim dhe vizitë jashtë vendit ta fuqizojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës”, ka theksuar Kupina. “Sa i përket kinse çnjohjeve të pretenduara nga Serbia, Presidentja i ka rikonfirmuar këto njohje nëpërmjet takimeve dhe kontakteve bilaterale me përfaqësues të këtyre shteteve dhe nëpërmjet ndihmës së shteteve aleate, veçanërisht SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar. Është vetëm një rast për të cilin nuk kemi ende përgjigje, por meqë jemi në komunikim intensiv nuk është mirë në këtë fazë të bëhet publik emri i shtetit”.

E në Ministrinë e Jashtme nuk kanë ofruar sqarime lidhur me metodën që kanë aplikuar për t’i rikonfirmuar njohjet dhe angazhimet për njohjet e reja.

Shteti i fundit që e ka njohur Kosovën është Izraeli, me të cilin u vendosën marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021, gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Njohja e shtetit nga Lindja e Mesme ishte pjesë e marrëveshjes së Ëashingonit, e cila u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 mes Kosovës e Serbisë, nën ndërmjetësimin e ish-presidentit Donald Trump.

Procesi i njohjeve deri tash është përcjellë me shumë paqartësi.

Mbështetur në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme, në total janë 117 shtete të cilat e kanë njohur Kosovën.

KOHA ka raportuar se për së paku dhjetë vende nuk dihet nëse janë dorëzuar notat verbale, e të cilat ministria i llogarit si njohje. Aty është edhe njohja e Togos, për të cilën ministri i Punëve të Jashtme i këtij shteti, Robert Dussey, pas takimit me homologun serb, Ivica Daçiq, në janar të këtij viti tha se ka revokuar atë.

Njohja ishte tërhequr edhe nga Suriname, për të cilën ish-ministri i jashtëm Pacolli pati thënë të mos jetë në dijeni se çfarë ka ndodhur.

Të tjera vende për të cilat është raportuar se kanë revokuar vendimet janë: Guinea Bissau, e cila njohjen e kishte bërë në 2011-n, Sao Tome dhe Principe, Burundi dhe Papua Neë Guinea, që vendimet i kishin marrë në 2012-n. Dy prej tyre i kanë rikthyer sërish njohjet, Guinea Bissau dhe Liberia.

E në tetor të këtij viti, si rrallëherë MPJD-ja deklaroi se pas pesë vjetësh riktheu marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Palaut. Në janar të 2019-ës Palau kishte paralajmëruar ta shqyrtojë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, mbështetur në notën verbale që kryetari i kësaj Republike ia kishte dorëzuar ministrit serb të Punëve të Jashtme.

Që prej nisjes së mandatit, ndër prioritet kryesore të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ishte forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës me synim të posaçëm arritjen e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia u dakorduan me marrëveshjen e 27 shkurtit, që të mos pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare. Por, Serbia e bëri të kundërtën dhe asnjëherë nuk e ndali fushatën për t’ia anuluar njohjet Kosovës dhe penguar mësymjet për anëtarësim në organizata.

Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serëer thotë se, megjithë pritjet e ndërkombëtarëve kjo situatë nuk pritet të ndryshojë as pas rikonfirmimit të Vuçiqit si lider i pa kontestueshëm në Serbi.

“Disa mund të shpresojnë se Vuçiq do ta përdor fitoren e tij për të zgjidhur konfliktin e Serbisë me Kosovën dhe të lëviz përfundimisht në drejtimin perëndimor. Kjo nuk do të ndodhë. Ai e ka mbyllur veten në kundërshtime të papajtueshme. Ai madje refuzon të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Serëer.

Që prej marrjes së mandatit, kryeministri Kurti insistonte në marrjen e njohjes nga pesë vendet e BE-së që ende se kanë bërë këtë, si pjesë e kompromisit në dialog me Serbinë.

Por sipas Serëer, jo vetëm që s’do të ketë njohje, por këto pesë vende do të pengojnë çdo nismë rreth Kosovës.

“SHBA-ja, Britania e Madhe dhe BE-ja mund të bëjnë presion ndaj Vuçiqit pas zgjedhjeve që ishin të parregullta. Ata thonë se duan që Serbia të zgjidhë problemet e saj me Kosovën, t’i përmbahet sanksioneve të Ukrainës kundër Rusisë dhe të shpejtojë reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE. Por pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën do të parandalojnë çdo shtytje për çështjen e Kosovës. Hungaria do të bllokojë çdo presion mbi çështjet e Rusisë. BE-ja në përgjithësi është shumë më e shqetësuar për Ukrainën dhe do ta lërë Serbinë të rrëshqasë”, ka theksuar ish-diplomati amerikan.

Përveç njohjeve, sfidë ka dalë të jetë edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare.

Zhbllokimi i kësaj situate u tentua pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit kaluar. Por, nuk dihet se kur do të finalizohet procesi, për të cilin një grup i ekspertëve së fundi publikoi raportin ku evidenton ngecje në zbatimin e vendimeve të gjykatave vendore. Mes tjerash, përmendet mos zbatimi i vendimit për Asociacionin, i vitit 2015, dhe aktgjykimi që i njeh Manastirit të Deçanit pronësinë mbi 27 hektarë.

E, më e gjatë do të jetë rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, pasi kryeministri Kurti e deponoi aplikacionin më 15 dhjetor 2002.

Edhe në këtë rrugëtim Kosova trajtohet si “sui generis” pasi shtetësinë nuk ia njohin pesë nga 27 vendet anëtare të BE-së.