Furnizuesi me energji elektrike KESCO, që është pronë e KEDS-it, vazhdon të jetë monopol në tregun e Kosovës.
Krejt kjo për shkak se dy operatorët tjerë të licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, janë jashtë funksionit, raporton KTV.
Kështu, kësaj kompanie i është mundësuar operimi i vetëm në vendin tonë.
Këto komente të deputetëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik pasuan raportimin e kryeshefit të ZRRE-së para Komisionit për raportin vjetor të vitit që lamë pas.
Hykmete Bajrami ngriti shqetësimin se pse ZRRE-ja vazhdon të licencojë edhe furnizues të tjerë, siç ka bërë tash së fundi, me licencimin edhe të tri kompanive të tjera.
Edhe
“Nuk ka konkurrencë efektive në tregun e furnizimit me energji elektrike”
Sipas saj, ZRRE-së nuk i ofrohen kushte për operim, pasi që të drejtën ekskluzive për marrjen e energjisë së prodhuar nga KEK-u e ka vetëm KESCO.
Edhe kryetari i këtij komisioni, Dardan Sejdiu, tha se ZRRE-ja duhet ta pranojë se kompanitë nuk janë të barabarta pasi që, sipas tij, shitja e Distribucionit të KEDS-it, e ka krijuar një situatë të tillë.
Por, anëtarë të bordit të ZRRE-së, u arsyetuan me faktin se furnizuesi duhet që vetë t’i gjejë konsumatorët, pasi që, siç thanë, mosfunksioni i tyre vjen si rezultat se energjinë duhet ta blejnë në vendet e tjera gjë, që sipas tyre, ia pamundëson veprimtarinë për shkak se nuk kanë llogari.
Anëtarët e Bordit të ZRRE-sa, janë zënë ngushtë nga deputeti Sejdiu, i cili u adresoi atyre edhe shumë pyetje lidhur me termocentralin “Kosova e Re”.
Edhe
KESCO dhe KEK-u me marrëveshje për të mos e shtrenjtuar rrymën
Sejdiu u kërkoi atyre që të bëjnë përllogaritje se sa do t’i kushtojë Kosovës ky investim dhe të dihet se a do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike pas funksionimit të këtij termocentrali.
Gjatë raportimit, u tha se ZRRE-ja ka tërhequr shumën e mjeteve për katër komunat e veriut prej 3.5 për qind, faturat e të cilëve i kanë paguar qytetarët e pjesës tjetër të Kosovës.