Arbëri

Molliqaj për protestën e së shtunës: ZRRE-ja të hënën e kthen mbrapa vendimin

Numri i madh i njerëzve që do të marrin pjesë në protestën e së shtunës kundër propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, do të bëjë që të hënën vendimi i ZRRE-së të kthehet mbrapa, ka thënë Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Social-Demokrate, parti kjo e cila e ka organizuar protestën.

Në një konferencë për media të premten, Molliqaj ka thënë se kërkesa e kësaj proteste është që të hidhet poshtë propozimi i ZRRE-së, për të cilin ai ka thënë se në fakt është propozim i Qeverisë së Kosovës.

“Kemi një propozim nga ZRRE-ja që nuk është i ZRRE-së por i Qeverisë, që është jo vetëm i papranueshëm dhe i padrejtë por ka shkaktuar edhe një irritim të paparë te qytetarët pasi është shumë i shtrenjtë. Kërkesa e kësaj proteste është që të hidhet poshtë ky propozim, sepse ky propozim në njërën anë i favorizon dhe i faktorizon ata të cilët kanë shumë ndërkaq i ndëshkon dhe u qet një barrë shumë të rëndë të tjerëve që janë shumica në këtë vend. Ftojmë secilin qytetarët partitë opozitare OJQ që ndan bindje të njëjta me ne sepse jemi tërësisht të bindur se numri i madh i protestuesve nesër, të hënën vendimin e ZRRE-së do ta kthejë mbrapa”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se nuk do të ndalen derisa ky vendim të mos jetë në fuqi, duke shtuar se protesta e cila do të zhvillohet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, do të jetë paqësore dhe me aksione simbolike.

I pyetur se a do t’i bashkohen protestës partitë opozitare parlamentare, Molliqaj ka thënë se ka zhvilluar takime me përfaqësues të këtyre partive dhe se vetëm kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka konfirmuar pjesëmarrjen, derisa PDK-ja e LDK-ja kanë deklaruar se pajtohen me kërkesat e tyre kundër propozimit të ZRRE-së.