Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se as qeveritarët e as qytetarët nuk e kanë njëmend luftën për veri të Kosovës. Sipas tij, e gjithë situata që lidhet me veriun dhe tensionet e shkaktuara gjatë qeverisjes së Albin Kurtit janë “frymë e ndërtuar dhe e kombinuar mes populizmit dhe autoritarizmit”.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Molliqaj të enjten ka thënë se fryma e krijuar nga pushteti ka bërë që edhe nëse Kurti bën diçka “që deri vonë e ka kundërshtuar ai dhe ndjekësit e tij, vendimi do të mirëpritet”.
Ai ka thënë se gjithnjë e më shumë po shihet që çështja me Serbinë nuk po përfundon. “Deri sa Kurti të jetë në pushtet, kjo është klima e tij. Ai nuk do zgjidhje. Edhe kur do ta bëjë Asociacionin, ai do të kapet me kryetarin për kompetenca. Kështu bëjnë liderët autoritarë kudo. Ekonomia s’do të zhvillohet derisa të ketë konflikt në rajon”, ka thënë ai, ndër tjerash.
Për qasjen e Qeverisë në veri të Kosovës, Molliqaj ka thënë se bëhet fjalë për instrumentalizim të serbëve.
“Kur t’i thuash një popullsie që jeton në një territor kompakt dhe refuzon në masë absolute qasjen e një shteti, që janë popull i shantazhuar dhe të frikësuar, ky është instrumentalizim. Mund të thuash kanë bindje të gabuar... S’është integrim. Është kontroll absolut. I ka kontrolluar. Kjo merret vesh më 9 shkurt. A do të fitojë Lista Serbe? Kurti na ka thënë se po fiton kjo listë dhe s’po ka pluralizëm në veri sepse janë bandat dhe është Radoiçiqi. A ka konsensus se s’ka më banda dhe s’është më Radoiçiqi? Konsensus se tani ka liri në veri? Le të shohim si do të votojë qytetari i lirë në veri. Është instrumentalizim dhe kjo e lë mbrapa Kosovën. Kosova refuzoi ofertën gjermane për punën e CEFTA-s nga qershori i këtij viti dhe edhe më herët. Oferta ishte e njëjta, Kosova të përfaqësohet me fusnotë dhe t’i lirojë mallrat serbe. Kosova tha jo me çdo kusht. Dhe Kosova e pranoi të njëjtën pa i ndërruar pikë as presje. Çka fitoi?” ka deklaruar më tej Molliqaj.
Duke e quajtur pushtet jodemokratik Qeverinë Kurti, Molliqaj ka thënë se edhe opozita ka rënë në kurth të pushtetit.
“Njëherë i thotë lësho pe, pastaj pse lëshove pe”, ka thënë ai. “Fitorja është veç kur Kosova ulet seriozisht me bë marrëveshje paqe me Serbi. Tjerat janë krejt taktikë-strategji. Pas këtij vendimi ai mund ta çojë sërish policinë. Këtu ka rënë opozita në kurth. Unë besoj në tregti të lirë. Dua marrëveshje dhe paqe me Serbinë. Unë s’i shoh serbët qysh i shohin këta. Këta njerëz që s’kanë luftuar as për Drenicën e as për Deçanin. S’kanë protestuar e s’kanë bërë kurrgjë e ia kanë nis me luftu për Leposaviqin. S’e kanë përnjëmend. Jo veç qeveritarët, por as qytetarët. S’e kanë përnjëmend”, ka thënë ai.
Ai katër vjetët e Qeverisë Kurti i ka cilësuar si “katër vjet konflikt, katër vjet sanksione e katër vjet pa përfunduar asgjë”.
“Kosova ka mbërritur në pikën që nëse e do një gjë, i thuhet se duhet ta bësh këtë gjë paraprakisht. S’ka qenë përherë kështu”, ka thënë Molliqaj.
Tek ka deklaruar se PSD-ja nuk do të hyjë në zgjedhje sepse nuk është mirë në sondazhe dhe nuk e kalon pragun, Molliqaj ka thënë se kjo parti s’do ta ndalë aktivitetin. Ai ka thënë se nëse Kurti mban pushtetin me më shumë se gjysmën e votave, “janë dy lexime”.
“Është një tronditje që na këndell dhe një tronditje që na çon në njëfarë nihilizmi e depresioni kolektiv politik. Jam për të dytën të punojmë sepse ai është fakt. Nëse ndodh është fakt e s’mund ta ndryshojmë, por duhet të angazhohemi ta ndryshojmë në të ardhmen. Ose të bëhemi nihilista qysh ka ndodh në plot vende të botës ku themi s’ka nevojë të merremi me politikë e populli po ia jep votën”, ka thënë Molliqaj.
Sipas tij, suksesi nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të ishte “po që se qytetarët e kuptojnë se çka po ndodh”. “Mendoj se njerëzit s’e kanë kuptuar çka ka ndodh me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet”, ka thënë ai.
Sipas tij, mosgarimi i PSD-së në zgjedhje nuk do të thotë dorëzim.