Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mohimi i fluturimit, “GP Aviation” sqaron se pasagjerja s’e dha informacionin e nevojshëm në kohën e rezervimit

Kompania “GP Aviation” ka reaguar ndaj stories së publikuar në Kohavision dhe Koha.net të datës 10 tetor, në të cilën është trajtuar rasti i mohimit të fluturimit për në Zvicër përmes APN-së së Fatime Kastratit nga Malisheva, shkaku i aparatit të oksigjenit nga i cili është ajo e varur.

Në mungesë përgjigjeje, në storie KOHA nuk ka pasur versionin e kompanisë “GP Aviation”, që e kishte në pronësi avionin, dhe as të asaj “Prishtina Ticket” ku ishte blerë aviobileta.

E, në reagimin e kompanisë theksohet se përgjigjja është kthyer me datën 12 tetor, që i bie dy ditë pas transmetimit të stories.

Në reagim kjo kompani thekson se pasagjeri, për fat të keq, nuk ka dhënë informacionin e nevojshëm në kohën e rezervimit dhe as brenda një kohe të mjaftueshme përpara fluturimit, kështu që të dhënat përkatëse të sigurisë nuk mund të vlerësoheshin në kohë për ta lejuar pranimin e saj dhe për të siguruar që të gjitha kushtet e sigurisë për një transport të tillë janë plotësuar.

Aty theksohet se në këso rastesh pasagjeri duhet të ketë certifikatën e mjekut e po ashtu të bëjë kërkesë jo më vonë se 48 orë para fluturimit. Ndryshe nga ky version, bashkëshorti i pasagjeres që nuk është lejuar të futej në avion, ka thënë se të gjithë dokumentacionin e kanë prezantuar edhe para pilotit, që ia ka ndaluar bashkëshortes së tij hyrjen në avion.