Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mjeku i suspenduar në Lipjan mohon se neglizhoi rastin e 56-vjeçarit që vdiq

Mjeku i suspenduar në Lipjan, Faruk Gashi, përmes një reagimi në Facebook ka sqaruar rreth rastit të videos së publikuar ku dëgjohet duke thënë se EKG-ja është jashtë funksionit, gjë që është mohuar nga Drejtoria e Shëndetësisë.

Ai ka thënë se rasti i videos dhe rasti i vdekjes së pacientit 56-vjeҫar janë raste krejtësisht të ndryshme dhe nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën.

Sipas tij, pacienti i cili shihet në një incizim të cilin e quan të paautorizuar dhe kundërligjor nuk është pacienti që ka vdekur.

Gashi thotë se pacienti që shihet në atë video është gjallë dhe është mirë me shëndet.

“Me qellim të informimit të drejtë të opinionit e bëjë këtë sqarim. Dje kam qenë kujdestar në QKMF në Lipjan , nga ora 7:00 në mëngjes deri në 19:00 në mbrëmje. Kemi pasur fluks të madh të pacientëve, kemi qenë dy mjekë, dhe siç dihet kohën e pauzës e kemi me rregull nga 9:30- 10:30, për shkak të fluksit të madh të pacientëve unë kam dalë me vonesë në pauzë diku rreth orës 9:45. Në ora 10:06 më telefonoi mjekja me të cilën kemi qenë kujdestar dhe më ka thënë se nuk ka mjekë në emergjencë dhe duhet të shkosh deri sa të kthehet ekipi të cilët për momentin ishin në terren në një rast të rëndë. Sapo morra lajmin, shkova në emergjencë ku fillimisht ishin disa raste që morën shërbimet e nevojshme, por pas disa çastesh erdhi pacienti tash i ndjerë. Pacienti ka qenë bashkë me familjarë të cilët janë dëshmitarë për përkushtimin që kam pasur ndaj pacientit. Pacienti ishte duke u ankuar për dhembje lukthi të theksuar”, ka thënë ai.

Në bazë të simptomave, ai thotë se ka dyshuar se te pacienti është duke u zhvilluar një infarkt. Pastaj bashkë me familjarët, Gashi thotë ta ketë ndihmuar pacientin të shtrihet në shtrat, dhe ka kërkuar që t’i bëhet EKG-ja.

“Motra e emergjencës më tha se nuk punonte aparati i EKG-së në emergjencë pastaj kemi ndihmuar pacientin të kalojë në pjesën e QKMF-se ku i kemi bërë EKG-në dhe e kam referuar për SHSKUK. Pacienti me familjarë u nis për në SHSKUK, por për pak minuta u kthyen sërish në emergjencë për shkak të përkeqësimit të gjendjes. Së bashku me familjarë e kemi vendosur pacientin në shtrat dhe kam filluar me reanimim kardiopulmonar. Unë isha duke e reanimuar kur u kthyen ekipa e emergjencës të cilët vazhduan me reanimim dhe e transportuan në SHSKUK. Më vonë jemi informuar që pacienti në fjalë ka ndërruar jetë në SHSKUK”, ka thënë ai.

Edhe Suspendohet mjeku që s’u shërbeu pacientëve në Lipjan Arbëri Suspendohet mjeku që s’u shërbeu pacientëve në Lipjan

Sipas tij, familjarët janë dëshmitarë dhe janë prononcuar në media se vdekja e pacientit nuk është pasojë e neglizhencës së tij si mjek, siç thotë ai se po linçohet në shumë tituj mediatik e as e stafit mjekësorë.

“Pas disa orësh është realizuar një video qëllimkeqe që të them të drejtën nuk e di nga kush dhe me çfarë tendenca, sepse kemi pasur shumë pacientë dhe kemi qenë të angazhuar në kryerjen e detyrave tona. Për sa i përket suspendimit tim si mjek, nga drejtori i drejtoratit për të cilin kam respekt, mendoj që është vendim i marrë nga mosinformimi i duhur i Drejtorit dhe duhet të rishikohet, sepse jo vetëm që nuk bëhet fjalë për neglizhencë, por kam qenë i angazhuar maksimalisht dhe me tërë qenien time”, ka shkruar ai.