Grevës 23-ditëshe në QKUK, i janë bashkuar edhe mjekët e Klinikës së Ortopedisë, raporton KTV.
Nga kjo e mërkurë, edhe në këtë klinikë do të trajtohen vetëm rastet urgjente.
Drejtori i kësaj klinike ka thënë se vetëm ambulanca specialistike nuk do të funksionojë.
“Kolegjiumi i Klinikës së Ortopedisë është solidarizuar me grevën e kirurgëve. Sot kemi operuar 11 raste, asnjë nuk është anuluar çka kanë qenë të planifikuar”, ka thënë nëpërmjet telefonit drejtori Arbër Tolaj.
Mirëpo, pacientët thonë se ka disa herë që kanë ardhur në QKUK dhe nuk po marrin shërbime.
Por, ka edhe të atillë që e mbështesin grevën e mantelbardhëve dhe thonë se rastet urgjente janë duke u trajtuar.
Për grevën në shëndetësi, arsim si dhe paralajmërimet për greva në sektorë të tjerë, Lëvizja Vetëvendosje fajin ia ka lënë qeverisë, më saktë vendimit të saj për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar.
Ky vendim, sipas deputetes Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, ka krijuar një ortek të pakënaqësive.
Ndërsa njohës të çështjeve politike në vend thonë se grevat janë bërë trend dhe se vetëm kirurgët, sipas tyre, po protestojnë me të drejtë.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë në grevë 7 klinika kirurgjike.