Arbëri

Mjedisi i rrezikuar

Foto: Liridon Shala

Lumëbardhit të Prizrenit aktualisht nuk i përshtatet ky emër. Brigjet e tij diku kanë marrë ngjyrë të zezë shkaku i mbeturinave të shtresuara aty, e diku mbetjet e plastikës dhe të materialeve inerte i japin ngjyrë tjetër.

Ndërkohë ujërat e tij prej vitesh e kanë humbur kthjelltësinë e dikurshme, pasi krahas mbeturinave aty derdhen edhe ujërat e zeza. Kur nuk ka reshje atmosferike edhe kundërmon. Ndërsa të reshurat në vjeshtë ndihmojnë që të ‘lahet’ pjesërisht turpi njerëzor. Gjendja aktuale e Lumbardhit është vetëm njëri prej treguesve të degradimit mjedisor në këtë anë.

Moskujdesi i faktorit njeri ndaj lumit, është i përhapur gjithandej nëpër natyrë. Një konstatim të tillë e mbështet Liridon Shala nga Prizreni, i cili kohën e tij të lirë e kalon në natyrë, duke fotografuar botën e egër dhe peizazhet natyrore, shkruan Koha Ditore.

“Në muajin maj të vitit të kaluar e pata fotografuar një shpend (bishtlëkundësi i Malit) që qëndronte mbi një degë në shtratin e Lumbardhit, në afërsi të parkut të Marashit. Por nga mbeturinat përreth mezi dallohej zogu. Dje isha përsëri në atë zonë dhe gjendja me mbeturina në lumë ishte pothuajse e njëjtë”, ka thënë Shala. Ai thekson se mbeturinat e ndryshme dhe derdhja e ujërave të zeza gradualisht po e shkatërrojnë florën dhe faunën.

“Degradimi mjedisor nuk haset vetëm në Lumbardh. Kudo që dal në natyrë me familjen hasi në mbeturina. Duke qenë se merrem me fotografimin e botës së egër dhe të peizazheve ky degradim tani po më pengon edhe më shumë, sidomos mbeturinat e plastikës”, ka deklaruar Shala. Sipas tij, vendet që shfrytëzohen për piknik në zonat rurale e malore janë përplot mbeturina. “Gjithashtu mund të vërehen pasojat negative të prerjes ilegale të drunjve. Ndërkaq zjarret janë një problem tjetër serioz që kanë ndikim të rëndë te shpendët dhe kafshët”, është shprehur Shala.

Ndërkaq Valon Xhabali nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” vlerëson se mjedisi gjatë viteve nuk ka pasur vëmendjen e duhur të komunitetit dhe të institucioneve. Si rrjedhojë, zhvillimi i pasluftës, sipas tij, është bërë në kurriz të natyrës, duke sjellë degradimin e mjedisit. Ai ka theksuar se ky trend ka bërë që të ketë efekte negative në cilësi të ajrit e ujit, pastaj të ketë shpërndarje të deponive ilegale e menaxhim të kufizuar të mbeturinave, dëmtim e mosmbrojtje të lumenjve e pyjeve, si dhe transparencë të ulët me lejet mjedisore.

“Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2019 ka theksuar se problemet serioze mjedisore vazhdojnë të ndikojnë në jetesën dhe shëndetin e njerëzve në Kosovë. Sfidat e mbrojtjes së mjedisit, sipas këtij raporti, kërkojnë më tepër vullnet politik, pasi që ka ngecje në implementimin e politikave publike për adresimin e çështjeve mjedisore”, ka thënë Xhabali.

Mjedisi për shëndet

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në muajt e fundit disa herë ka apeluar te qytetarët që ta ruajnë mjedisin, si nga hedhja e pavend e mbeturinave, ashtu edhe në parandalimin e zjarreve që kanë pasoja shkatërrimtare për pyjet.

Sipas Xhabalit, rasti i Lumbardhit është mjaft ilustrativ për të dëshmuar zbehtësinë e veprimeve dhe të koordinimit të institucioneve qendrore me ato lokale për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit.

“Bazuar në përgjigjet që i kemi marrë nga Komuna e Prizrenit për nevojat e projektit ‘Monitoruesi mjedisor’, që përkrahet nga KFOS-i, del se niveli lokal bën mirëmbajtjen e rregullt të Lumbardhit brenda zonës urbane të qytetit, ndërkohë që për zonën jo-urbane deklarojnë se ‘Komuna nuk mund të ndërmarrë asgjë, pasi që ajo është nën kompetencë të MMPH-së’. Në anën tjetër, MMPH-ja nuk ofron përgjigje se çfarë ka ndërmarrë në këtë drejtim, e monitorimi në terren tregon se gjendja është e mjerë përgjatë gjithë shtratit të këtij lumi”, ka thënë Xhabali.

Kjo organizatë muajin e kaluar, duke marrë për bazë shqetësimin e adresuar nga shoqata e peshkatarëve “Drini i Bardhë” dhe Federata e Peshkatarëve të Kosovës, pati kërkuar zbardhjen e rastit të ngordhjes së peshqve në derdhjen e Lumbardhit në lumin Drini i Bardhë, si pasojë e ndotjes së ujërave, sikurse edhe rastet e dyshimta të helmimit të bagëtive. Zyrtarët nga Komuna e Prizrenit nuk e patën përjashtuar mundësinë e ngordhjes së peshqve e as ndotjen e ujërave të lumenjve nga ujërat e zeza, pasi që kanalizimet derdhen në lumenj.

Nuk gjobiten ndotësit

Drejtori i inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Islam Thaqi, ka deklaruar se degradimi urbanistik, ndotja e mjedisit dhe ruajtja e shëndetit të qytetarëve nga tregtimi i produkteve ushqimore janë tri sfidat kryesore të këtij dikasteri.

“Mbrojtja e mjedisit nga ndotësit është njëri prej problemeve kryesore për neve. Ruajtja e mjedisit nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e qytetarëve”, ka thënë Thaqi. Ai ka pohuar se ka legjislacion për gjobitjen e ndotësve, porse zbatimi i tij ka çaluar në mungesë të angazhimit të duhur të nivelit qendror. Sipas tij, edhe gjyqësori duhet të rrisë nivelin e efikasitetit, në mënyrë që ndotësit e shkatërruesit e mjedisit të dënohen sipas legjislacionit në fuqi. “Ne kemi shqiptuar gjoba, por vlera e tyre është e vogël karshi dëmit të shkaktuar. Prandaj nevojitët që edhe gjyqësori të jetë më efikas”, është shprehur Thaqi.

Ai ka pohuar se Komuna ka ndërmarrë disa aksione për largimin e mbeturinave nga shtrati i Lumbardhit. Ndërkohë ka shtuar se problemi i derdhjes së ujërave të zeza në të pritet që të zbutet me vënien në funksion të kolektorit dhe të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.

Komuna e Prizrenit në fillim të këtij muaji ka njoftuar se ka filluar pastrimin e shtratit të Lumbardhit nga fshati Mushnikovë deri në vendin e quajtur ‘40 bunar’.

“Kjo ka ardhur pas analizës së gjendjes në terren dhe konstatimit se për shkak të ndotjes dhe mbeturinave që janë hedhur në shtratin e lumit mund të paraqitet rreziku i vërshimeve”, thuhet në komunikatë. Pak javë më parë, Komuna ka ndërmarrë veprime edhe për largimin e deponisë ilegale në rrugën “Mehmet Hasi”, pranë urës që lidh lagjen “Tusuz” me atë “Bajram Curri”.

“Në këtë zonë edhe më parë janë marrë aksione për pastrim nga ana e Komunës, mirëpo më pas gjendja është përsëritur për shkak të hedhjes së mbeturinave nga personat e papërgjegjshëm. Lusim të gjithë qytetarët ta mbrojnë ambientin dhe në rast të ndotjes nga personat e papërgjegjshëm, ta njoftojnë rastin në Qendrën e Thirrjeve”, thuhej në njoftim.

Komuna e komuniteti kundër HC-ve

Pos mungesës së koordinimit për menaxhimin e lumenjve, Komuna e Prizrenit dhe MMPH-ja kanë mospajtime edhe sa u përket planeve për ndërtimin e mini-hidrocentraleve në Lumbardh. Zyrtarët e lartë të qeverisë komunale të Prizrenit janë shprehur kundër ndërtimit të mini-hidrocentraleve në Luginën e Lumëbardhit (Zhupë).

“Ne jemi kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore për ta parandaluar ndërtimin e tyre. Këtë e kemi dëshmuar edhe si Komunë, me anë të nënshkrimit të deklaratës së përbashkët kundër ndërtimit të hidrocentraleve, me të cilën kemi kërkuar nga organet kompetente anulimin e tyre”, ka bërë të ditur Haskuka, pas raportimeve se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka zhbllokuar këtë proces. Ai pati shtuar se të gjithë kryetarët e fshatrave të Zhupës dhe e gjithë popullata e këtij rajoni janë kundër hidrocentraleve, pasi ato do ta shkatërrojnë natyrën këtë trevë.

Paraprakisht në diskutimin publik me qytetarët, ku ka raportuar për punën 6-mujore të ekzekutivit, Haskuka ka thënë se zhvillimi nuk mund të jetë çfarëdo, porse duhet të jetë ‘zhvillim i gjelbër i qëndrueshëm’.

“Në momentin që zhvillimi vjen si pasojë e shkatërrimit të natyrës ajo kthehet si ndikim negativ në të ardhmen. Për këtë arsye kemi projektin për zhvillim të gjelbër së bashku me UNDP-në dhe brenda këtij projekti kemi Zyrën për zhvillim të gjelbër që është duke i identifikuar projektet të cilat kanë të bëjnë me adaptimin për ndryshime klimatike”, ka thënë Haskuka.

Në këtë rrafsh, javë më parë ai ka përkrahur edhe nismën e nxënësve në Prizren për të qenë pjesë e lëvizjes globale “FridaysForFuture”, që janë mbledhur në mbështetje të protestuesve që kërkojnë ndaljen e emetimit të gazrave dhe ballafaqimin urgjent me krizën klimatike.

“Përgëzoj organizatorët e kësaj proteste që po na bëjnë më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm ndaj ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike”, ka shkruar Haskuka.

Valon Xhabali nga EC-i thekson se puna me të rinjtë është e domosdoshme dhe se në këtë drejtim kjo organizatë është duke pilotuar Eko-shkollën, derisa ka hartuar edhe një udhëzues për ndërtimin e eko shkollave në qytetin e Prizrenit, si veprim për të pasur rezultate afatgjate në mbrojtjen e mjedisit.

Ndërsa Liridon Shala ka theksuar se është përgjegjësi e secilit individ në shoqëri që të ketë kujdes të shtuar në raport me mjedisin. “Duhet të punojmë me fëmijët, që ta mbjellim një kulturë te ata se duhet kujdesur për natyrën dhe mjedisin ku jetojmë”, ka përfunduar Shala.