Asnjë fjalë të vetme nuk e kanë thënë Qeveria për takimin me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës, Christian Hellbach dhe Thomas Bertin.
Ndërsa, në takim të këtyre dy diplomatëve me presidentin Hashim Thaçi, as zyra e presidentit nuk ka dhënë detaje të këtij takimi, raporton KTV.
“Ndajmë vlera dhe parime të njëjta. Kosova ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme, konkrete, të miqve si Gjermania dhe Franca, në vazhdimin e konsolidimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare”.
Pa praninë e mediave kanë zhvilluar takimet në Prishtinë, përfaqësuesit e dy Ministrive të Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës, Christian Hellbach dhe Thomas Bertin me kryeministrin dhe presidentin e vendit. Këto dy shtete kanë shprehur shqetësimin për nismën për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
Takimet dyditore Hellbach dhe Bertin, i kanë vazhduar me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti.
Edhe
Sa janë të shqetësuara Gjermania e Franca me përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale
Sipas Hotit, LDK-ja i ka siguruar emisarët se në asnjë rast nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura për të shfuqizuar ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar.
Gjatë ditës, para objektit të Qeverisë, janë parë veturat e përfaqësuesve të Francës dhe Gjermanisë. Por, nuk dihet se kë e kanë takuar.
Ndërsa, të mërkurën diplomatët franko-gjerman, kanë takuar zyrtarët e Vetëvendosjes.
Deputetja Albulena Haxhiu, thotë se ia kanë bërë të qartë qëndrimin e Vetëvendosjes se nuk do të bëhet pjesë e lojës politike të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për ta zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale.
Edhe
Gjermania e Franca të shqetësuara me përpjekjet për shfuqizimin e Speciales – dy ditë vizita në Kosovë
Deputeti Korab Sejdiu, ka thënë se ardhja e diplomatëve gjerman dhe francez për të bindur Kosovën që të mos tentojë të zhbëj ligjin për Gjykatën Speciale, tregon për papjekurinë e institucioneve të shtetit për të zgjidhur tema të mëdha.
Diplomatët Hellbach dhe Bertin nuk dihet nëse kanë takuar kryetarin e PDK-së dhe njëherësh kryeparlamentarin Kadri Veseli.