Diplomatët në Bruksel e shohin angazhimin e dy këshilltarëve të liderëve të Francës dhe Gjermanisë si dëshmi se këto dy shtete duan që dialogu, i cili nuk ka shkuar sipas planit, të hyjë në një fazë më dinamike dhe të sjellë rezultate konkrete
Bashkimi Evropian ka mirëpritur mbështetjen që i kanë shprehur nga niveli më i lartë Franca dhe Gjermania dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Është konfirmuar se menjëherë dy këshilltarët që i kanë angazhuar presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz do të nisen për Prishtinë dhe Beograd ku do ta shoqërojnë të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
“Ne mirëpresim mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili ka për qëllim normalizimin e raporteve mes Kosovë dhe Serbisë, sikur edhe për përpjekjet e përfaqësuesit të lartë Borrell dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak në këtë drejtim”, ka thënë Stano.
Ai ka konfirmuar se më 9 shtator, Lajçak do ta vizitojë Kosovën i shoqëruar nga këshilltarët për politikë të jashtme të Francës dhe të Gjermanisë.
“Kjo vizitë do të shërbejë për t’i shqyrtuar opsionet për progresin në dialog dhe gjatë kësaj vizite janë planifikuar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Stano duke shtuar se sa i përket takimeve të mundshme në Bruksel, ato do të shpallen kur të jetë koha e përshtatshme.
Diplomatët në Bruksel e shohin angazhimin e dy këshilltarëve të liderëve të Francës dhe Gjermanisë si dëshmi se këto dy shtete duan që dialogu, i cili nuk ka shkuar sipas planit, të hyjë në një fazë më dinamike dhe të sjellë rezultate konkrete.
Pritjet e tyre i kanë shprehur presidenti i Francës dhe kancelari gjerman në letrat që ia kanë dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ata kanë shprehur se presin nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të jenë të gatshëm për vendime të vështira.
Angazhimi nga niveli më i lartë i Francës dhe Gjermanisë, krahas angazhimit që tashmë ka treguar edhe administrate amerikane, pritet të sjellë një dinamikë të re në dialog.
Kjo mbështetje mund t’i ndihmojë BE-së që ta kthejë besimin e palëve dhe ta rrisë rolin e saj në rajon, në kohën kur vazhdon frika nga ndikimi negativ i Rusisë.