Arbëri

Mishetiq: Komunikatat s’kanë qenë nxitje e krimit, në të kundërtën ndërkombëtarët do ta dinin

Luka Mishetiq

Luka Mishetiq i cili përfaqëson Hashim Thaçin ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me komunikatat e UÇK-së dhe me atë se ato kanë pasur mesazhe që kanë nxitur krimin.

Mishetiq ka thënë se kjo nuk qëndron sepse nëse do të ishte e kundërta, atëherë ndërkombëtarët do ta dinin dhe do e thoshin atë që dinin kur kanë ardhur që të dëshmojnë në këtë rast gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Komunikatat e UÇK-së nuk kanë qenë nxitëse të krimit sepse në të kundërtën dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje do ta kishin ditur këtë dhe do e kishin bërë me dije për ju”, tha ai.

Ai tha se Prokuroria ka dështuar që të japë prova që komunikatat kanë çuar në avancimin e politikës së ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Mbrojtja thotë se Prokuroria duhet të japë argumente të shkakut dhe pasojës se pse komunikatat pretendon që çuan në kryerjen e krimeve në aktakuzë.

Përveç kësaj, Mishetiq thotë se Prokuroria mbështetet në deklaratat e Rrustem Mustafës- Remit.

“ZPS-ja së pari mbështetet në provat e dhëna nga komandant Remi për të mbështetur pretendimet që komunikatat ishin shumë të rëndësishme për krimet e ngritura në aktakuzë. Siç thuhet nga ZPS-ja, Remi ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me Shtabin e Përgjithshëm”, tha ai duke shtuar se pse duhej të orientohej Remi përmes komunikatave.

Këto pretendime sipas mbrojtjes, Prokuroria i bën pasi s’ka prova të drejtpërdrejta që dëshmojnë komunikimet e Shtabit me komandantët e zonave lidhur me mesazhe të tilla.

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka folur lidhur me pretendimet e Prokurorisë për qëllimin e përbashkët kriminal të të akuzuarve në këtë rast gjyqësor.

Ai tha në dëshminë e tij, se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi ka deklaruar që nuk ka qenë në dijeni të qëllimit kriminal siç pretendohet në aktakuzë. Ngjashëm, si Zyrapi, mbrojtja thotë se kanë deklaruar edhe ndërkombëtarët që kanë dëshmuar në këtë çështje gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Por, Mishetiq ngrit pikëpyetje se si është e mundur që Zyrapi dhe ndërkombëtarët të mos kenë qenë në dijeni për këto gjëra, ndërkohë që pretendohet se personeli më i ulët i UÇK-së kanë marrë mesazhe kriminale sidomos përmes komunikatave.

“Nuk ka pikë vlere dhe nuk ka fare kuptim e aq më pak të përbëjë provë përtej dyshimit të arsyeshëm. Si është e mundur që ZPS-ja argumenton se si ndërkombëtarët dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk kishin informacion për qëllimin e përbashkët kriminal por në nivel më të ulët personeli i UÇK-së kishte mundësi që të merrte mesazhe kriminale”, tha ai.

Ai deklaroi se duhet të bëhet pyetje se si është e mundur që të fshihet diçka nga ndërkombëtarët, duke shtuar se nuk iu janë dashur 20 vjet atyre që të zbulojnë propagandën nxitëse në Ruandë, Bosnje e po ashtu edhe atë të Sllobodan Millosheviqit në Serbi.

Përpara kësaj, Mishetiq ka thënë se ka prova të mjaftueshme që Thaçi të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

“Argumentet e ZPS-së nuk e përbëjnë arsyetimin e vetëm të arsyeshëm të provave që është standardi që duhet arritur me qëllim që të rishkruani historinë e Kosovës në këtë rast dhe ta gjeni fajtor Thaçin. Ka prova të bazuara të mjaftueshëm që atë ta shpallni jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.

Në prezantimin e tij edhe digjital, Mishetiq ritheksoi se deri më tani, jurisprudenca e gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare ka përcaktuar se: NATO ndërhyri ushtarakisht në Kosovë në vitin 1999 si përgjigje ndaj një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale Serbe që kishte filluar jo më vonë se tetori 1998, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas mbrojtjes, Prokuroria kërkon që vetëm mbi bazën e inferencës, të konstatojnë se ishte UÇK-ja ajo që kishte planifikuar një “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” disa muaj më herët, në mars 1998.

“ZPS-ja po u kërkon juve që pavarësisht se presidenti serb i një shteti të organizuar nuk ka pasur përgjegjësi penale për krimet masive të luftës dhe krimet kundër njerëzimit, për shkak se nuk ka pasur kontroll efektiv, duke u bazuar në këtë deduksion iu duhet të konkludoni që udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës dhe UÇK-së, një grup i armatosur joshtetëror që kishte ekzistuar vetëm prej disa muajsh, kishte kontroll efektiv dhe ishte penalisht përgjegjës. Ky rezultat do të jetë një padrejtësi ligjore dhe historike”, tha Mishetiq.

Lexo përditësimet tjera
Hashim Thaci

Mbrojtja e Hashim Thaçit paraqet fjalët përmbyllëse në Hagë

•E mërkurë, 11 shkurt: Mbrojtja e Hashim Thaçit shpalos fjalën përfundimtare, nis paraqitja e Kadri Veselit•E...