Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pasi versionin e parë e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projektligj parasheh reformë në KPK, synon eliminimin e grupeve të interesit dhe korporatizimit brenda KPK-së, eliminimin e ndikimeve politike dhe synohet përmbushja e mandatit kushtetues të KPK-së.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar me prioritet këtë çështje. Ajo ka thënë se në projektligj parashihet që si anëtarë të përhershëm të Këshillit të jenë 7 prokurorë, tre prej tyre të zgjedhur nga Kuvendi. Tre të tjerë do të jenë 3 joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, ndërsa një vend i takon Prokurorit të Shtetit. Këta do të jenë anëtarë të përhershëm.
Përbërja do të rritet përkohësisht deri në 19, sipas ministres Haxhiu. Mandati i atyre që zgjedhën si anëtar jo të përhershëm do të jetë deri në fillim të vitit 2026.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar. Vendimi qe marrë në fund të muajit mars.
Anita Kalanderi emërohet sekretare e Përgjithshme e MD-së
Qeveria e Kosovës ka emëruar Anita Kalanderi sekretare të përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë.
Kështu ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në mbledhjen e Qeverisë.
Ai ka njoftuar se për këtë pozitë kanë aplikuar tetë kandidatë, ndërsa dy kanë hyrë në listën e ngushtë.
“Anita Kalanderi dhe Flutura Berbati-Zena janë dy kandidatet që janë vlerësuar mbi pragun 70 për qind të pikëve”, ka thënë ai.
Është miratuar edhe Projektligji për ndryshimet klimatike i prezantuar nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Miratim ka marrë edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin “Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore 10”, i prezantuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati.
Pika tjetër e propozuar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka të bëjë me krijimin e Grupit Kordinues për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare “Këshilli i Evropës”.
“Nëse për etapën e parë ka mjaftuar koordinimi mes Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit për ta kapërcyer këtë fazë, në fazën e dytë na duhet një koordinim shumë më i ngushtë. Prandaj kemi propozuar themelimin e Grupit Koordinues për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka thënë ajo.