Arbëri

Miratohet kërkesa e Mitrovicës së Veriut për anëtarësim në Asociacionin e Komunave

Komuna e Mitrovicës së Veriut ka pranuar përgjigje pozitive nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në kërkesën e saj për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Të martën, dokumentacioni i është përcjellë Asociacionit, i cili ditët në vijim pritet ta shqyrtojë kërkesën. Këshilltarë komunalë të Mitrovicës së Veriut kanë thënë se ky vendim nuk i është drejtuar kundër askujt

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), pas më shumë se dy javësh ia ka miratuar kërkesën Komunës së Mitrovicës së Veriut për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Zyrtarë të Mitrovicës së Veriut kanë konfirmuar për “Kohën” se përgjigjja e MAPL-së bashkë me dokumentacionin përcjellës, të martën, i është përcjellë Asociacionit, i cili tani duhet të vendosë nëse do ta pranojë anëtarin e 35-të të këtij mekanizmi.

“Kryesuesi i Kuvendit Komunal është dashur ta dorëzojë vendimin për ligjshmërinë në MAPL të cilin e kemi marrë sot. MAPL-ja ka kthyer përgjigje pozitive e njëjta përgjigje dhe bashkë me vendimin e Kuvendit Komunal dokumentacioni ka shkuar në Asociacion. Sa na përket neve, i kemi ndërmarrë të gjitha hapat tani vetëm presim shqyrtimin nga ana e asociacionit”, ka thënë shefi i kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Visar Sylaj.

E drejtori ekzekutiv në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se do t’i ndërmarrin veprimet e domosdoshme për shqyrtimin e kërkesës.

“Tani, pas pranimit të kërkesës nga ana e komunës së Mitrovicës së Veriut e cila është shqyrtuar nga MAPL-ja, janë organet e AKK-së që do të ndërmarrin veprimet e domosdoshme për shqyrtimin e kërkesës së komunës në fjalë. Asociacioni i Komunave të Kosovës do t’u përmbahet dispozitave statutare të saj në mënyrë që të bëjë veprime të përgjegjshme sa i përket shqyrtimit të kërkesës së komunës së Mitrovicës së Veriut për anëtarësim në AKK”, ka thënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut mori vendim më 30 qershor që t’i nisë procedurat për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Këshilltarët komunalë kanë thënë se vendimi nuk është i drejtuar kundër askujt, teksa kanë folur për domosdoshmërinë që pushteti lokal të jetë funksional.

“Asociacioni ka disa trupa që i ndihmojnë komuna komunës dhe kjo është mirë. Nuk jam i kënaqur edhe me rrethanat aktuale, kemi pritur ndihmë edhe nga komunat tjera. Ky është qëllimi jo me çu ndonjë mesazh ndaj ndonjë komuniteti, por me na ndihmu”, ka thënë zëvendëskryesuesi për komunitete, Skender Sadiku.

Lista Serbe që deri para zgjedhjeve të 23 prillit ka udhëhequr me këtë komunë, pati refuzuar t’i bashkohej këtij mekanizmi. Kërkesë e zyrtarëve të saj është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mbi bazën e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.