Deri kah fundi i muajit gusht do të vendoset anëtarësimi ose jo i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës, njoftoi drejtori ekzekutiv i këtij institucioni.
Ai deklaroi në Interaktiv të KTV-së të mërkurën se kryetari i komunës, Eden Atiq, nga katër komunat veriore, i pari e ka shprehur interesimin për anëtarësim në AKK, ndërsa shtoi se bazuar në procedura, aplikimi është bërë dhe tash pritet shqyrtimi.
“Ky do të jetë kuvend i jashtëzakonshëm në bazë të statutit. Ftesa (për Kuvend) dërgohet një muaj më parë për organizimin e takimit të jashtëzakonshëm. Dje kam pranuar kërkesën, e kam shpërndarë te anëtarët e Bordit të AKK-së. Aty është edhe kryetari i Komunës së Parteshit që përfaqëson kryetarët serbë. Jemi në diskutim se kur do të organizohet kuvendi i jashtëzakonshëm për trajtimin e kërkesës së Mitrovicës së Veriut. Po shpresojmë që kryetari i Asociacionit gjatë këtyre ditëve të dërgojë ftesën për të proceduar tutje. Deri para përfundimit të muajit gusht”, deklaroi Ibrahimi.
Ai u shpreh se AKK si organizatë joqeveritare, nuk merret me politikë pasi s’është mekanizëm i tillë, me ç’rast tha se nuk pret që të ketë kundërshti për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut. Sipas drejtorit ekzekutiv, deri më tani s’ka pasur ndonjë reagim për aplikimin e kësaj komune, pro tha se nëpërmjet Asociacionit, komunat përfitojnë bashkëpunime ndërkomunale dhe shkëmbejnë përvoja.
“Asociacioni s’është mekanizëm politik, është vullnetar, punon në emër të komunave pa marr parasysh partitë politike. Të mirat i vlerësojnë komunat dhe edhe ky kryetar (Eden Atiq) e ka parë të arsyeshme të bëjë një kërkesë që të kemi bashkëpunim ndërkomunal. Kemi në kolegjiumet tona pjesëmarrje nga komuna e Mitrovicës Veriore. Nuk duhet të ketë reagim pasi Asociacioni funksionon në bazë të Kartës Evropiane mbi vetëqeverisjen lokale. Deri më tani s’ka ndodhur t’u themi jo aplikimeve për anëtarësim. Si për pranim, si për largim, duhet të shprehet gatishmëria. Nuk besoj se do të ketë ndonjë arsye të fortë për të dalë nga Asociacioni”, shtoi ai.
Për faljen e 100 eurove në tatimin në pronë nga komunat, Ibrahimi tha se qeverisjet lokale do të humbasin shumë milionë euro nëse do të kalojë ky projektligj. Sipas tij, kërkesa e Qeverisë për falje drejtuar komunave është e njëanshme dhe s’ka konsultuar askënd.
“Kryetarët kanë kërkuar që ky projektligj të kthehet në Qeveri në mënyrë që të diskutohet me komunat. Asnjëherë s’ka ndodhur që komunat të bëjnë një falje të tillë, gjithmonë Qeveria e ka bërë këtë. Po shpresojmë që Kuvendi s’do ta bëjë gabimin e njëjtë, por do ta diskutojnë me hisedarët e komunave. Nëse miratohet si i tillë, komunat do të humbasin me dhjetëra miliona euro dhe ato janë të parapara në buxhete komunale. Kush do t’i kompensojë ato. Me ato mjete parashihen për investime, e barrën e fajit kush duhet ta marrë, ai që po merr vendime pa konsulta, apo komunat. Komunat kanë kërkuar që ky projektligj të kthehet prapa, e ne kemi kërkuar që këtë dëm financiar të marrë Qeveria. Po besojmë që niveli qendror të reflektojë pozitivisht t’i takojë komunat”, ka thënë ai.