Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministrja Hoxha në Estoni, merr mbështetje për liberalizimin e vizave

Talin, 16 nëntor 2018 - Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, po qëndron për vizitë zyrtare në Estoni në vazhdën e punës së saj për lobim për liberalizimin e vizave. Njoftohet se ajo u prit nga Raivo Küüt, zv. ministër për Sigurinë e Brendshme, Rendin Publik dhe Politikën e Migracionit.

Pasi vlerësoi lart përkrahjen nga shtetet e Baltikut, në veçanti Estonisë, e cila, siç theksoi ajo, ka përkrahur vazhdimisht Kosovën në çështjet kyçe me interes për vendin, ministrja Hoxha kërkoi votën dhe mbështetjen e këtij vendi për liberalizimin e vizave duke theksuar rëndësinë që ka lëvizja e lirë për qytetarët tanë.

“Pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian, dhe pas votimit në Parlamentin Evropian, ku u konfirmua se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, kërkova nga vendi mik, Estonia, përkrahje të plotë në votimin e Këshillit të Ministrave, ku do të vendoset për lëvizjen e lirë”, theksoi ministrja Hoxha, duke cekur faktet e përmbushjes së kritereve për liberalizim dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës nga vendet mike por edhe pas rikonfirmimit nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni LIBE.

Z. Raivo Küüt, zv. ministër për Sigurinë e Brendshme, Rendin Publik dhe Politikën e Migracionit në MPB të Estonisë, vuri në dukje se vendi i tij mirëpret përmbushjen e kritereve për liberalizim duke ofruar përkrahje për liberalizimin e vizave si dhe procesin integrues si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, ashtu siç Estonia votoi pro liberalizimit në Parlamentin Evropian.