Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria e Bujqësisë planifikon t'i rrisë investimet në sisteme të ujitjes

Ministri Faton Peci gjate vizites ne Komunen e Gjakoves

Ministria e Bujqësisë e Kosovës është duke planifikuar t’i rrisë investimet në sisteme të ujitjes.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka vizituar të enjten Komunë e Gjakovës, ku ka parë nga afër investimet e realizuara në rehabilitimin e sistemit të ujitjes Radoniq – Dukagjin.

“Pas më shumë se 40 viteve fshatrat Doblibar dhe Bardhasan të Komunës së Gjakovës dhe fshatrat Petrovë, Trepetnicë e Shpinadi të Komunës së Prizrenit kanë qasje në sistem të ujitjes. Në Komunën e Rahovecit është realizuar rehabilitimi i sistemit të ujitjes, i cili përfshin fshtatrat Gexhë, Radost, Ratkoc, Denjë Dobridol, Polluzhë, Qifllak dhe Kramovik me një sipërfaqe rreth 1,300 ha duke përfshirë këtu edhe mbrojtjen e gypit transit nëpër të cilin kalon Drini i Bardhë dhe furnizon me ujë fshatrat e këtij nënsistemi. E deri më tani kemi investuar 4,074,000 Euro në sistem të ujitjes, ku sipërfaqja e pajisur me ujitje deri më tani arrin 7,750ha”, ka treguar Ministri Peci, duke shtuar se numri i fermerëve përfitues që do të kenë qasje në shërbime të ujitjes do të jetë 10,754.

Ai ka treguar se MBPZhR-ja përmes financimit nga BE-ja me 10 milionë euro të Programit IPA 2020 do të vazhdojë me rehabilitimin dhe modernizimin e sistemit duke e zhvilluar sistemin automatik të menaxhimit (SCADA), për te rritur efikasitetin e shfrytëzimit të ujit dhe të rrisë prodhimtarinë bujqësore, duke i ulur kostot e prodhimit.