Projekti për ujitje në vlerë mbi 2.1 milionë euro, i iniciuar nga Ministria e Bujqësisë, u përcoll me parregullsi dhe mangësi. Ani se u shpenzuan rreth 1.5 milionë euro për tetë komuna, një njërën dështoi plotësisht, në tri nuk përfunduan punimet siç ishin paraparë, e në katër prej tyre projektet u realizuan, por nuk u funksionalizuan. Kostoja për katër të fundit është mbi 660 mijë euro. Tenderi ishte shpallur më 2022 dhe punët sipas kontratave ishin paraparë të kryhen për 85 ditë
Për afro tre vjet Ministria e Bujqësisë nuk ka arritur që ta përmbyllë projektin për ndërtimin, rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të ujitjes për tetë komuna, i paraparë të përfundonte për 85 ditë.
Projekti në vlerë mbi 2.1 milionë euro, i iniciuar pas marrëveshjeve mes ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, dhe kryetarëve të tetë komunave, u përcoll me parregullsi dhe mangësi që nga fillimi.
Ani se u shpenzuan rreth 1.5 milionë euro, në katër komuna projektet ende nuk janë funksionale, në tri prej tyre nuk përfunduan punimet ashtu siç ishin paraparë, e në njërën dështoi tërësisht.
Dallime mes dosjes së tenderit dhe projekteve ekzekutuese
Pas thirrjeve të Ministrisë së Bujqësisë për komuna, që të aplikojnë me projekte për ujitje, ministri në detyrë Faton Peci, më 2022-tën nënshkroi marrëveshje me kryetarët e tetë komunave aplikuese.
Tenderi për projektet e përzgjedhura u shpall në gusht të 2022-tës me tetë lote të ndara dhe më pas Ministria e Bujqësisë lidhi kontrata me kompani. Por, sipas raportit të auditorit të brendshëm të Ministrisë, në dosjen e tenderit kishte dallime në paramasa dhe parallogari me projektet ekzekutuese të dorëzuara për disa lote, si dhe mungesë të planit të detajuar për tri të tjera.
Kontratat me operatorët ekonomikë për pesë komuna u lidhën në nëntor të atij viti, ndërsa tri të tjera në shkurt dhe në mars.
Vonesat në fillim të punimeve konstatohen edhe në dy raporte të brendshme të auditimit të kësaj ministrie, të kryera në 2023 dhe 2024. Aty thuhet se fillimi i punimeve u vonua shkaku i vonesave në kontraktim të kompanisë mbikëqyrëse, mosdorëzimi për aprovim i programit për punët nga kontraktuesit, si dhe vonesat në formimin e ekipit menaxhues.
Por, edhe pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë mbikëqyrëse “Triangle”, në qershor të 2023-tës, pati vonesa në të gjitha komunat, për mbi një vit, e konstatuar edhe me raportet e kësaj kompanie.
Shkaku i mangësive në projektim nga ana e komunës, të konstatuara nga ekipi menaxhues dhe kompania mbikëqyrëse projekti dështoi të realizohet në Komunën e Kamenicës pa nisur fare punimet dhe kontrata u ndërpre pa u realizuar asnjë pagesë.
Sipas kompanisë mbikëqyrëse “Triangle”, kjo komunë i kishte dorëzuar tri projekte, por që asnjëri nuk ishte i ekzekutueshëm në terren. Së fundmi kishte dorëzuar projekt të vitit 2011.
Sipas saj, ky projekt nuk përputhet me paramasën dhe parallogarinë dhe kjo mospërputhje e madhe e pamundëson vazhdimin e ekzekutimit të punimeve.
Po ashtu, sipas mbikëqyrësit, autoriteti kontraktues rrezikon të hyjë në obligime të paparashikuara.
Sipas dokumenteve të Ministrisë për këtë projekt, të siguruar nga KOHA, kompania e kontraktuar për kryerjen e punimeve “Teuta M” i kishte kërkuar si dëmshpërblim 30 për qind të kontratës së nënshkruar, por ajo nuk i ishte aprovuar nga Ministria e Bujqësisë.
Bazuar në ato dokumente, probleme në ekzekutimin e punimeve pati edhe në Komunën e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Klinës. Punët në këto komuna u ndërprenë me marrëveshje mes dy palëve pa u përmbushur kontrata. Ani se vlera e përbashkët e kontratave ishte afro 1.1 milionë, për këto projekte u shpenzuan mbi 660 mijë euro.
Por, për dy prej tyre, Mitrovicë dhe Vushtrri, u bë edhe pranimi teknik i punimeve, ndonëse projektet nuk janë funksionale, pasi sipas dokumenteve zyrtare të Ministrisë, ende nuk është bërë lidhja në sistemin e “Ibër-Lepencit”. Përveç lidhjes në sistem, sipas komunikimeve mes ekipit mbikëqyrës dhe kompanisë mbikëqyrëse që i posedon KOHA, pati edhe punë të tjera të pakryera, shkaku i problemeve në terren me pronarët e tokave.
Peng të “Ibër-Lepencit”
Sipas kompanisë mbikëqyrëse “Triangle”, në Mitrovicë ka pasur probleme në ndërtimin e pusetave. Pronarët e tokave, që janë prekur nga shtrirja e rrjetit, nuk e kanë lejuar ndërtimin e tyre, me arsyetimin se kanë dimensione më të mëdha dhe shkaktojnë dëme në toka.
E Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se pas aplikimit, Ministria e Bujqësisë e ka bërë vlerësimin e projektit dhe e ka marrë përsipër financimin e plotë të vlerës së përgjithshme të projektit.
“Kanë qenë disa kërkesa të vazhdueshme, për disa konstatime të tyre që ka mangësi në planifikim, krejt këto pas nënshkrimit të marrëveshjes ose më mirë të themi më shumë se një vit pasi që është bërë aplikimi dhe pastaj vlerësimi nga ana e tyre. Çdo herë në kohë jemi përgjigjur dhe kemi qenë bashkëpunues për çdo gjë, pasi që është prioritet yni shtrirja e sistemit të ujitjes në atë zonë”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Komuna e Mitrovicës thotë se nuk është njoftuar nëse projekti ka përfunduar apo jo.
“Si palë në marrëveshjen e mirëkuptimit, ende nuk kemi pranuar raport të pranimit teknik apo të përfundimit të punimeve dhe na bën të kuptojmë që projekti nuk ka përfunduar”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të kësaj Komune.
Se projekti në këtë Komunë nuk është funksional e thotë raporti i kompanisë mbikëqyrëses “Triangle”.
“Në këtë projekt, edhe pse kemi arritur ta procedojmë situacionin e fundit, nuk mund të konsiderohet funksional derisa të bëhet kyçja në Sistemin e N.H, Ibër-Lepenc...”, thuhet në raportin mbikëqyrësit për situacionin e fundit të pagesës për “Hidro Project”, kompaninë që i ka kryer punimet në Mitrovicë.
Edhe në raportin për pagesën e situacionit të fundit për projektin e Vushtrrisë, të realizuar nga operatori ekonomik “Alfa.i”, thuhet se kompanisë nuk i është miratuar pagesa e plotë, pasi që nuk ishin kompletuar disa punë sipas paramasës, siç ishte lidhja e hidrantëve dhe gypave në sistem të “Ibër-Lepencit”.
“Arsyeja e kompanisë punëkryese është se ajo nuk kanë mundur t’i realizojë këto punime, sepse përfaqësuesit e N.H Ibër-Lepenc nuk i kanë lejuar që të kyçen në sistemin e tyre”, thuhet në raport.
KOHA e ka kërkuar një përgjigje nga ndërmarrja “Ibër-Lepenc” lidhur me moslejimin e lidhjes në sistem të këtyre dy projekteve, por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigjet munguan edhe nga Ministria e Bujqësisë si financuese dhe implementuese e projektit.
Por, në shkresën që e posedon KOHA të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, nga komuna e Vushtrrisë dhe ajo Mitrovicës janë kërkuar të dhëna të shumta, përfshirë ato për llojin e gypave dhe sipërfaqet që llogariten të ujiten me këtë sistem të ujitjes, por të cilat nuk janë plotësuar ende.
Me telashe projekti është shoqëruar edhe në Komunën e Istogut. Punimet, sipas mbikëqyrësit, u ndërprenë në gjysmë për shkak të mosmarrëveshjeve me banorët e zonës.
“Projekti i Ujitjes në Komunën e Istogut është ndërprerë për arsyet e njohura (problemet me disa qytetarë që e kërkojnë ndryshimin e projektit). Kryetari i komunës është në dijeni dhe në bazë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit, përfaqësuesit e Komunës kanë përgjegjësi për zgjidhjen e të gjitha problemeve pronësore, gjë që deri më tani nuk e kanë bërë, detyrohemi ta propozojmë shkëputjen e kontratës me marrëveshje me operatorin ekonomik”, thuhet në komunikimet zyrtare në mes të kompanisë mbikëqyrëse dhe menaxherëve të kontratës.
Për shkak të problemeve me dizajnim të projektit, ndërprerje të kontratës pati edhe për projektin e Klinës. Aty janë përfunduar 70 për qind e punëve të parapara.
“Komuna e Klinës së bashku me banorët e fshatit Budisalc-Klinë, më datën 23.10.2023 kanë bërë një kërkesë për riformatim të kanaleve të ujitjes në MBPZHR, por e cila nuk e ka marrë aprovimin nga Zyra e Prokurimit, për shkak të kalimit të mbi 10 për qind të shumës së kontratës dhe mosharmonizimit të paramasës dhe parallogarisë. Për këtë arsye është bërë i pamundur realizimi i punimeve në terren, jemi të detyruar të bëjmë prerjen e punimeve, pagesat janë bërë vetëm për ato sasi të realizuara në terren”, thuhet në raportin e kompanisë mbikëqyrëse.
Punimet jocilësore
Në Komunën e Deçanit, Junikut dhe Shtimes, përkundër problemeve dhe vonesave të shumta në realizim, punimet kishin përfunduar. Për to është kryer edhe procesi i pranimit teknik, përkundër ankesës së disa banorëve për cilësinë e punimeve. Nga afro 872 mijë euro të parapara për këto tri kontrata, u shpenzuan rreth 816 mijë euro.
Mentor Bajraktari, banor i fshatit Isniq të Deçanit, thotë se projekti që nga fillimi ka nisur keq, pasi banorët nuk janë njoftuar dhe ka krijuar dëme të mëdha.
“Edhe për bujqësi nuk kemi mundur as me ujitë atë vit, ku është më e keqja tu u hjekë dërrasat, tu u rrëzu betoni. Kjo është... nuk e di as në çfarë vendi jemi duke jetuar as çka. Kompania thotë se na e kemi bërë mirë, por ka qenë moti i lig, unë kam punuar ndërtim dhe e di që në minus 20 me qenë, kur t’i qitet aditivi, nuk ndodh ajo, por si në Kosovë qysh janë duke u bërë punët veç shkel e shko”, ka thënë ai.
Bajraktari pohon ta kenë lajmëruar kompaninë, autoritetet e komunës, si dhe ata të ministrisë.
“Komuna ka thënë nuk është kompetencë e jona, e kompania pas një kohe ka ardhur, ka intervenuar dhe tash është pak më mirë. Me metra mundem të gaboj, por gati një kilometër është dashur që të thyhet dhe të bëhet për së dyti. Pa filluar ujitja, pa u lëshuar uji, kjo vetëm është prishë”, ka thënë ai.
Ani se punimet janë pranuar, në disa pjesë ka mungesë të rrjetave të kullimit dhe dëmtim të kanalit.
Në Komunën e Deçanit thonë se ky projekt është menaxhuar nga Ministria dhe nuk mbajnë përgjegjësi për punët e kryera.
Komunat dorëzuan projekte të tjera nga ato i që aplikuan
Mangësitë janë evidentuar edhe nga auditori i brendshëm në Ministrinë e Bujqësisë, në raportet e viteve 2023 dhe 2024.
“Në katër lote, në komunat: Kamenicë, Junik, Klinë dhe Istog, pas nënshkrimit të kontratës në vitin 2023 ishin dorëzuar projekte të tjera. Edhe nga Komuna e Deçanit ishte dorëzuar projekt tjetër, si dhe nga Komuna e Shtimes (2022) e të cilat projekte nuk ishin të pranuara përmes arkivit”, thuhet në raportin e auditorit të Brendshëm.
Aty përmenden edhe vonesat që ishin bërë në planin e menaxhimit të kontratave, caktimin e menaxherëve të kontratave, e skadimin e masës së ekzekutimit për projekte ende pa u kryer punimet.
Mangësitë u evidentuan edhe nga kompania mbikëqyrëse e projektit “Triangle”, e cila po ashtu ishte caktuar me vonesë nga Ministria.
Në disa komunikime që “Triangle” i ka me menaxherin e një pjesë të kontratave, thuhet se janë mbajtur mbi 30 takime me komuna vetëm për mangësi të projekteve.
“Roli i kompanisë tonë ndaj Autoritetit Kontraktues është mbikëqyrja e projekteve për 8 lote dhe jo revidimi i projekteve dhe marrja e përgjegjësive për gabimet të cilat i kanë bërë komunat. Andaj, ju jeni në dijeni se për komunën e Kamenicës janë mbajtur mbi 10 takime dhe marrja pjesë në këto takime ka qenë vetëm humbje kohe dhe dëmtim financiar për kompaninë tonë, sepse ne për këtë nuk paguhemi dhe nuk jemi përgjegjës”, thuhet në shkresën e kompanisë “Triangle” drejtuar menaxherit të kontratës, Bali Lestrani.
“Triangle” kishte kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që t’i zgjidhte problemet në terren, duke paralajmëruar se nuk mund të vazhdojnë përfundimisht me këtë kontratë.
Përgjigje KOHA ka kërkuar edhe nga komunat e tjera, pjesë e projektit, por nuk ka marrë përgjigje.
Përgjigjet munguan edhe nga Ministria e Bujqësisë, si implementuese dhe financuese e projektit.
Sipas një raporti të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë 2024-tës janë investuar 4.2 milionë euro në rehabilitimin e sistemit të ujitjes për 7 mijë e 750 hektarë sipërfaqe nën ujitje. Aty thuhet se projekti do të vazhdojë me investim shtesë prej 10 milionë euro, që do ta mundësojë rritjen e sipërfaqeve nën ujitje në 11 mijë hektarë.