Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka thënë se ende nuk ka marrë ftesë nga gjykata dhe se nuk mund të komentojë për një dosje që nuk e ka parë, pasi u pyet për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.
“Së pari, ende nuk kam marrë asnjë ftesë. Kështu që nuk mundem me komentu sepse nuk e kam lexuar. Kur të më thirr gjykata, do të paraqitem me plot vullnet. Jam i bindur se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, asnjë keqpërdorim, asnjë cent të Republikës së Kosovës”, theksoi Damka para hyrjes në Kuvend të shtunën.
Ai shprehu shqetësimin për faktin që, sipas tij, dosja po komentohet nga parti opozitare dhe media, ndonëse nuk u është bërë ende e qasshme palëve të përfshira.
“Është shqetësuese ta elaborojë dosjen një parti opozitare apo mediat, të cilën ende nuk e kemi ne. Faktet dhe dëshmitë do të paraqiten në gjykatë”, shtoi ai.
Damka gjithashtu mbrojti rolin e organizatës “Caritas Zviceran”, e cila është një nga organizatat përfituese në projektin për të cilin ai po akuzohet.
“Është fatkeqësi të përdoret emri i ‘Caritasit’ zviceran që është organizatë qeveritare e Zvicrës, e cila 25 vjet kontribuon për projekte të ndryshme milionëshe në Kosovë. Edhe në këtë projekt ka kontribuar me 1.6 milionë euro. Krejt janë transparente”, theksoi ai.
Në fund, ministri në detyrë u shpreh i bindur se drejtësia do të dalë në pah në gjykatë.
“Do të sqarohen të gjitha në gjykatë sepse besoj në drejtësinë e Kosovës”, u shpreh Damka.
Prokuroria Speciale njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë ndaj Damkës dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj, për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”. Sipas aktakuzës, ata dyshohen se nga 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy OJQ – “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.