Diana Metushi nga Instituti Demokratik i Kosovës, deklaroi se Kosova i ka humbur rreth 50 mijë euro nëpërmjet dy kontratave që janë lidhur në një periudhë të shkurtër kohore, për blerjen e oksigjenit.
Ajo deklaroi të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, se qëkur u shfaq pandemia, u rrit kërkesa për oksigjen, e më 7 maj 2020, është lidhur kontrata e parë për blerje të oksigjenit, me 1.68 euro për litër.
Dy muaj më pas, sipas Metushit, u lidh kontrata e dytë nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK), për oksigjen të gaztë, me 2.01 euro për litër. Kjo rritje e hovshme e çmimit, sipas saj, ngriti dyshime.
“Në fillim kishim një kontratë më të lirë, por e dyta u lidh menjëherë. Të dyja me procedura të përshpejtuara. Kontrata e dytë, 40 centë më e shtrenjtë. Në mesin e kontratës së parë u dha kontrata e dytë. Publikut nuk iu dha asnjë arsye pse është dashur të lidhet kjo kontratë e dytë”, deklaroi Metushi nga KDI.
Ajo theksoi se 50 mijë eurot e shpenzuara nga buxheti i Kosovës, nuk janë të vogla, sidomos për çështje shëndetësore, ku sipas Metushit, Kosova çalon në shumë fusha.
Metushi theksoi se është problematike edhe qasja në dokumente publike të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa sipas saj, as institucionet nuk i mbikëqyrin kontratat që nënshkruhen në dëm të vendit.
“Një numër i madh kontratave janë të qasshme, por kur duhet bërë analiza më në detaje, është goxha e vështirë t’i qasemi. Kemi një problem me qasjen në dokumentet publike, në kontratat që qytetarët i paguajnë”, tha ajo.
Edhe
KDI-ja akuzon SHSKUK-në për dëmtim të buxhetit në vlerë prej 57 mijë eurosh
Metushi potencoi se raportet e Auditorit janë kredibile, por që KDI-ja hulumton në parime të tjera.
“Raportet e Auditorit janë të mirëseardhura. Ai mban një kredibilitet në gjetje, por nuk e kemi princip të bëjmë punën e njëjtë të Auditorit. Kurdo që jemi në të njëjtën linjë, konsultohemi me gjetjet e Auditorit”, shtoi ajo.