Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mësimi në distancë: Mësimdhënësit po komunikojnë në forma të ndryshme me nxënësit

Edhe pse në shtëpi, mësimdhënësja e shkollës “Ismail Qemaili” në Prishtinë, Filloreta Mustafa-Dermaku, tash e disa ditë po e vazhdon punën e saj duke i ndihmuar nxënësit me sqarime në realizimin e mësimit nga distanca.

Përmes programit “Zoom”, ajo lidhet çdo ditë me nxënësit e saj, për t’iu dhënë përgjigje kërkesave të tyre e duke i ndihmuar në mësimet që po transmetohen në RTK.

Këtë mënyrë komunikimi, ua ka rekomanduar edhe kolegëve të saj pasi, siç thotë, nuk mjafton vetëm mësimi nga televizori pa ndihmën e mësuesve.

Por jo të gjithë mësimdhënësit janë duke vepruar njëjtë.

Disa prindër i kanë thënë KOHËS prapa kamerave se po hasin në vështirësi, meqë mësimdhënësit nuk po bashkëpunojnë sa duhet me fëmijët e tyre.

Edhe Mësimi nëpërmjet televizionit i pamjaftueshëm, thonë prindërit e nxënësve Arbëri Mësimi nëpërmjet televizionit i pamjaftueshëm, thonë prindërit e nxënësve

Për këtë, ka reaguar kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i cili i ka ftuar mësimdhënësit ta kryejnë detyrën me përgjegjësi, duke e vazhduar komunikimin me nxënësit rreth procesit mësimor.

Edhe Ministria e Arsimit ka theksuar se mësimdhënësit janë të obliguar të vazhdojnë kryerjen e detyrimeve të veta profesionale, duke u fokusuar në lehtësimin e realizimit të mësimit online, raporton KOHA.

Sipas MASHTI-t, për realizimin me sukses të mësimit online, kërkohet angazhim i plotë i autoriteteve, institucioneve dhe personelit arsimor në Kosovë.

“Këtë do ta realizojnë duke krijuar grupe virtuale me prindërit dhe nxënësit e vet. Detyra e mësimdhënësve është përcjellja e mësimit online, përkujdesja për aktivizimin e rregullt të nxënësve, përkujdesjen dhe përcjelljen e kryerjes së detyrave të shtëpisë, këshillimin e nxënësve për tejkalimin e sfidave, shpjegimin e pjesëve më të rënda, mbajtjen e evidencave e të tjera. Mësimdhënësit përcjellin orarin e mësimeve online dhe komunikojnë me prindërit për angazhimin e rregullt të nxënësve. Secili nxënës do të krijojë portofolion e vet me angazhimet konkrete dhe detyrat e kryera gjatë kësaj periudhe. Edhe mësimdhënësit do të duhet të krijojnë dëshmi të punës dhe angazhimit të vet në përkrahje të nxënësve dhe prindërve”, është thënë nga MASHTI.

Edhe Bajrami e vlerëson mirë procesin mësimor në distancë Arbëri Bajrami e vlerëson mirë procesin mësimor në distancë

Të hënën ka nisur mësimi nga distanca për klasat 1-5, ndërkaq nga java tjetër pritet të nisë edhe për klasat 6-9. MASHTI ka bërë të ditur se po punon që kjo formë e mësimit shumë shpejt të fillojë edhe për shkollat e mesme.

Përveç në RTK 1, mësimet po shfaqen edhe në RTK 4, si dhe në uebfaqen; e-mesimi.rks-gov.net