Arbëri

Mësimdhënësit nuk do të gëzojnë më kontratë të veçantë kolektive

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nuk do të ketë Kontratë Kolektive të veçantë për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, siç ka pasur deri tash. Në konferencën e fundvitit, ajo e ka kualifikuar si sukses kthimin në punë të 32 zyrtarëve serbë, të cilët me vite paguheshin pa dhënë kontribut. Ndërkaq ka kritikuar prindërit për mosdërgimin e fëmijëve në shkollë gjatë të shtunave.

Mësimdhënësit nuk do të gëzojnë më Kontratë të veçantë Kolektive, ku parashihej vetëm për ta kompensimi i shujtës, udhëtimit, si dhe shpërblime jubilare.

Shkëputjen e Kontratës Kolektive me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit e ka kualifikuar si vendim të duhur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Në konferencën për fundvit, Nagavci ka deklaruar se do të përpilojnë një Kontratë Kolektive në nivel qendror për të gjithë sektorët publikë.

“Në raport me kontratën e re ne kemi dërguar kërkesë për negocim të kontratës së re dhe unë besoj që do të bëhet në nivel qendror, pra do të ketë kontratë të përgjithshme kolektive, edhe kryeministri Kurti e ka përmendur që është i interesuar që të kemi kontratë të përgjithshme kolektive e jo kontrata sektoriale”, ka thënë Nagavci.

Në prezantimin e punës së bërë për këtë vit, Nagavci e kualifikoi si arritje të Ministrisë kthimin në punë të 32 zyrtarëve serbë, të cilët me vite paguheshin pa dhënë kontribut.

Ata, sipas Nagavcit, dërgojnë raporte çdo dy javë për të dëshmuar angazhimin e tyre.

“Deri më tani i kemi pasur të gjitha raportet, për paraqitjen e tyre në punë edhe për realizimin e detyrave të tyre, madje edhe sa i përket situatës për dorëheqje, ne kemi pranuar me vonesë një e-mail anonime ku thoshte se duhet të vini në Mitrovicën e Veriut për të pranuar dorëheqjet tona, kjo në kohën kur ishin edhe dorëheqjet e tjera, por në fakt askush nuk e ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tyre”, ka deklaruar ajo.

E për mosrealizimin e planit për kompensimin e orëve mësimore gjatë të shtunave, Nagavci ka shfrytëzuar konferencën që t’iu bëjë thirrje mësimdhënësve e prindërve që ta respektojnë kalendarin e ri shkollor.

Të paqëndrueshme, i ka kualifikuar argumentet e prindërve se fëmijët pësojnë lodhje psikike më mbajtjen e mësimit gjatë të shtunave.

“Diskutimet për lodhje, ngarkesa kështu me radhë, sidomos në muajin tetor pas tre muajve të humbjes së mësimit për fëmijë, janë të paqëndrueshme. Andaj nevojitet një bashkëpunim dhe angazhim në këtë drejtim. Ne kemi pasur vëmendje që të mos ketë stërngarkesë për fëmijët”, ka thënë Nagavci.

Për vitin e ardhshëm, ministria planifikon që të nisë digjitalizimin në shkolla, vlerësimin e mësimdhënësve, si dhe të bëjë ligjërisht të obligueshëm pjesëmarrjen në nivelin parafillor.