Mëngjesi i së martës nisi duke u bllokuar rruga “Imzot Nikëprela”, në hyrje të shkollës fillore “Hasan Prishtina”.
Zgjerimi i “Prishtina Parking” në lagjen “Ulpiana” bëri që disa mësimdhënës të këtij institucioni edukativ në shenjë proteste të parkojnë veturat në rrugë.
Duke krijuar kolona të gjata, ata hasën edhe në kundërshtime të qytetarëve të tjerë.
Arsimtarja Merita Ahmetaj thotë se janë kundër pagesës, derisa shton se nga e hëna Drejtoria e Arsimit ua ka ndaluar parkingun brenda oborrit të shkollës.
Menaxhimi i parkingjeve nga “Prishtina Parking” ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarët, kryesisht në lagjet e urbanizuara si “Lakërishtja”, “Dardania” e “Kodra e Diellit”.
Pas ankesave të shumta Kuvendi Komunal i Prishtinës në muajin mars ka formuar një komision, i cili po merret edhe me rishikimin e rregullores së kësaj ndërmarrjeje.
Me këtë rast kryetari Përparim Rama pati deklaruar se është pezulluar zgjerimi i “Prishtina Parking” deri në një vendim.
Megjithatë, kjo kompani nuk e ka ndaluar asnjëherë zgjerimin. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parking”, Liridon Restelica.
“Kryetari i Komunës veç nëse e sheh që po keqpërdoret diçka mundet ta ndalojë, përndryshe nuk ka kompetenca me ndalë, Kuvendi duhet me marrë vendim. Sa për informacione, ‘Prishtina Parking’ është në aktivitetin e zakonshëm në bazë të planit dhe jemi duke u zgjeruar, tani jemi në ‘Ulpianë’. ‘Ulpiana’ është shembull edhe më i mirë se ‘Dardania'”, tha Restelica.
KOHA ka kërkuar sqarim nga Komuna e Prishtinës në lidhje me këtë çështje, mirëpo ajo nuk ka kthyer përgjigje.
“Prishtina Parking” deri më tash ka marrë nën menaxhim Zonën 1 të kryeqytetit, që përfshin lagjen e qendrës , përderisa deri në korrik pritet të zgjerojë veprimtarinë edhe në lagje të tjera.