Arbëri

“2 Nëntori” në Prishtinë, me mungesë vendparkimesh e trotuare të uzurpuara

Vendimi i ndërmarrjes “Prishtina Parking” për parkim horizontal të veturave në rrugën “2 Nëntori” në Breg të Diellit, ka nxitur pakënaqësi të mëdha të banorëve. Ata ankohen se tash kanë më pak hapësira për veturat e tyre dhe se trotuaret janë zaptuar

Banorët e rrugës “2 Nëntori” në lagjen Bregu i Diellit, ankohen për vështirësitë që ua ka shkaktuar vendimi i para disa javëve i ndërmarrjes “Prishtina Parking” për parkim horizontal të veturave.

Sipas tyre, me këtë vendim, atyre u është kufizuar dukshëm hapësira për parkimin e veturave.

“Nuk është dashur në këtë mënyrë ta bëjnë parkingun, sepse nuk po i zë veturat, po e kanë telashe fëmijët që t’i parkojnë veturat”, ka thënë një banore.

E Nezirka Bekteshi është shprehur se në mungesë të vendparkimeve, banorët detyrohen shpesh që veturat t’i parkojnë në lagjet përreth. Ajo është ankuar edhe për trotuaret që janë kthyer në vendparkingje.

“Ne përballemi me mungesë të parkingjeve për shkak të vendimit për këtë parkim horizontal të veturave. Vajza ime detyrohet që veturën shpeshherë ta parkojë në lagjen tjetër si shkak i mungesës së parkingjeve. Por, përveç mungesës së parkingjeve, ne detyrohemi të ecim në rrugë si shkak i mungesës së trotuareve”, ka thënë Bekteshi.

Në ndërmarrjen “Prishtina Parking” kanë arsyetuar vendimin, duke thënë se parkimi horizontal është i bazuar në Ligjin e Trafikut.

Po ashtu, në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje, thuhet se në rast të mungesës së vendeve të lira, banorëve të lagjes “2 Nëntori”, iu lejohet parkimi i veturave në lagje të tjera.

“Rruga në fjalë është e përbërë nga rruga dhe dy trotuare. Të dy trotuaret e kësaj rruge gjithmonë kanë qenë të bllokuara. Për të liruar të paktën njërin trotuar, është dashur që të bëhet ndërhyrja në fjalë, e cila nuk dëmton drunjtë dhe gjelbërimin. Në çdo version tjetër, do të shkeleshin rregullat sipas ligjit të trafikut, prandaj, e vetmja zgjidhje ligjore ka mbetur kjo, të cilën e kemi realizuar së bashku me Komunën e Prishtinës. Nga ndërmarrja “Prishtina Parking” konsiderojmë se situata në këtë rrugë është e menaxhueshme dhe se pas regjistrimit të banorëve dhe vendosjes se kontrollit nga NPL “Prishtina Parking”, hapësira në dispozicion, e kombinuar edhe me rrugën Armend Daci, do të jetë e mjaftueshme për banorët rezidentë të lagjes”, thuhet në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje.

Më 26 nëntor, “Prishtina Parking” ka shënjuar hapësirat për parkim horizontal të veturave në rrugën “2 Nëntori”. 

E nga e enjtja, ka nisur regjistrimi i banorëve dhe kryerja e pagesës për përdorimin e këtyre hapësirave për parkim të veturave.