Ipeshkvi Dodë Gjergji nga mesha solemne e Pashkëve u ka bërë thirrje liderëve politikë në vend që të tregojnë përgjegjësi në ushtrimin e detyrave të tyre, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë
Nga mesha solemne e Pashkëve në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë janë përcjell mesazhe të fuqishme për paqe, por edhe është bërë thirrje për reflektim nga skena politike.
Në fjalën e tij, Ipeshkvi Dodë Gjergji u ka bërë thirrje liderëve politikë në vend që të tregojnë përgjegjësi në ushtrimin e detyrave të tyre, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“I ftojmë edhe autoritetet politike të vendit tonë që të jenë më të ndërgjegjshëm për kohën të cilën jetojmë, por më të përgjegjshëm për detyrat dhe përgjegjësitë që të ruhet stabiliteti dhe siguria ashtu që të gjithë të kenë aftësinë, guximin dhe zotësinë për dialog me njeri-tjetrin dhe të respektojmë të kaluarën sikur që duhet të ndërtohet e ardhmja. Ta kujtojmë (të lutemi për paqe) paqen në botë. Dashtë Zoti që sa më parë të ndalohet zhurma dhe krisma e armëve që të ngadhënjejë qetësia”, ka thënë Dodë Gjergji.
E famullitari i Prishtinës, Agim Qerkini, në meshën e mesditës që është mbajtur të dielën ka rikujtuar fuqinë dhe gëzimin që besimtarët marrin nga ngjallja e Krishtit.
“Megjithëse Krishtin e dënuan me vdekjen e tmerrshme, me të turpshme dhe e kryqëzuan, ai me ngjalljen e vet na ka dhënë gjithmonë forcën të rrugëtojmë së bashku me të nëpër kalvarë të ndryshme dhe sot, gjithashtu e gjithmonë, të ndiejmë gëzimin e dashurisë që na e dhuron. Për këtë arsye, të gjithë ne këtu të bashkuar si një familje para Zotit, përkujtohemi me lutjen e falënderim”, ka thënë Qerkini.
Pashkët konsiderohen ndër festat më të rëndësishme për besimtarët katolikë.
“Është festë shumë e madhe për besimin katolik, pothuajse e njëjtë ose edhe më e madhe sesa Krishtlindjet. Ne të gjithë e festojmë këtë si festë fetare dhe përgatitemi te shtëpia, vijmë në kishë, organizojmë kështu pritje për mysafirë. Pa marrë parasysh, mysafirët nuk dallohen, shkojmë nëpër shtëpia, vijnë të feve të ndryshme, d.m.th. edhe të besimit islam janë të mirëseardhur si të tjerët”, ka thënë Augustin Culaj.
Për mesazhin që bartin Pashkët, besimtari Pashk Desku e ka lidhur këtë festë me optimizmin dhe besimin për të ardhmen.
“Festa e ringjalljes, që nënkupton ringjalljen sipas fesë të gjithë që kanë vdekur një ditë do të ringjallen dhe do të kthehen në jetën e përditshme. Kjo personifikon ringjalljen e Krishtit dhe ringjalljen e njerëzimit, sepse shumë njerëz në jetë janë pesimistë dhe kjo të ndihmon, të jep shpresë për me u kthy në optimizëm, sepse jeta pesimiste është jetë e rëndë e zymtë, ndërsa jeta dhe njeriu optimist e sheh jetën përpara, të ardhmen përpara. Na e lyejmë me vezë, me ‘tomeloriz’ i themi ne nga Dukagjini, bukën e bekuar, djathin e bekuar dhe të gjitha gjërat ushqimore i bekojmë në mënyrë që të jemi të bekuar”, ka thënë ai.
Pashkët paraprihen nga Java e Shenjtë, që nis të dielën e përfundon të shtunën.
Tri ditët e fundit të kësaj jave janë më të rëndësishmet: E Enjtja e Madhe përkujton Darkën e Fundit, ku Jezusi ndau bukën dhe verën me dishepujt, e Premtja e Madhe përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit dhe e Shtuna e Madhe është ditë heshtjeje dhe pritjeje.
Pashkët gjithnjë festohen të dielave.