Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë, me rastin e Krishtlindjes, një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera.
Mesha solemne e Krishtlindjes në Katedralen “Shën Nënë Tereza” është udhëhequr nga ipeshkvi. Ai ndër tjera tha se Kosova ka nevojë për stabilitet më të madh politik dhe të përshpejtojë rrugën drejt hyrjes në familjen evropiane dhe të ruajë vlerat e shoqërisë.
“Bota sot po përballet me frikën e shkatërrimit, pasi ka mbetur pa dashuri, po flet me gjuhën e urrejtjes, sepse e ka humbur fuqinë e arsyes dhe po merren vendim sipas interesave të fortëve dhe jo sipas drejtësisë. Mjerisht, kjo mënyrë e të menduarit, kjo formë e veprimit dhe kjo qasje ndaj njeri tjetrit po merr jetë njerëzish gjithandej botës ku ka luftë, padrejtësi e varfëri. Kjo ka plagosur rëndë ndërgjegjen politike të botës. Mbi të gjitha po shkatërron shpresat e brezave të ri dhe po i bën të paaftë ata që të jetojnë në paqe dhe dashuri. Nuk është e mirë as gjendja mes nesh e për këtë nuk mund ta fajësojmë askënd, por të ndihemi bashkëfajtorë për çdo situatë që nuk e kemi në nivelin e duhur... E ndjej të nevojshme t’ju ftoj të jemi më të përgjegjshëm për të restauruar gjendjen në të cilin kemi jetuar në vitin që po lëmë pas, duke kryer obligimin qytetar, pasi do të kontribuojnë të gjithë që vendi të ketë stabilitet të qëndrueshëm politik, të përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe të arrijë të ruajë vlerat bazike të shoqërisë sonë”, tha Dodë Gjergji.
Në Ditën e Krishtlindjes, të enjten, nga ora 11:00 mbahet mesha në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, ndërsa nga ora 18:00 mesha në Kishën e “Shën Ndout” në “Ulpianë”, Prishtinë.
Abdixhiku: Krishtlindja e sivjetme le të jetë thirrje për më shumë mirësi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar festën e Krishtlindjeve.
“Të gjithë besimtarët e krishterë, shënojnë e festojnë Krishtlindjen. Lindjen e shpresës, e dritës që mposht errësirën, e besimit se dashuria dhe mëshira janë gjithmonë më të forta se çdo vështirësi.
Ai ka shkruar se “kjo ditë na kujton se sa shumë vlerë ka të jemi pranë njëri-tjetrit, të falim, të ndajmë dhe të sakrifikojmë për të mirën e përbashkët. Na kujton se paqja fillon në familje, vazhdon mes fqinjësh dhe forcohet në shoqëri”.
Abdixhiku ka thënë se Kosova dhe shqiptarët e saj kanë qenë gjithmonë shembull i harmonisë fetare. Sipas tij, kjo vlerë e shenjtë i ka mbajtur bashkë në ditë të vështira dhe i ka bërë më të fortë si shoqëri.
“Krishtlindja e sivjetme le të jetë një thirrje e re për më shumë mirësi, më shumë respekt dhe më shumë solidaritet mes nesh. Uroj nga zemra që kjo festë t’ju gjejë pranë familjeve tuaja, me shëndet, paqe dhe plotë shpresë për të ardhmen. Që dhurata më e madhe të jetë buzëqeshja e atyre që doni dhe koha e çmuar e kaluar bashkë. Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për shumë mote, me paqe e mirësi - Gëzuar Krishtlindjen!”, ka shkruar ai.
Kurti uron të krishterët: Krishtlindja është kremtim dhe reflektim
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar besimtarët katolikë për Krishtlindje.
Ai ka thënë se kjo festë është reflektim dhe shpresë, ndër tjerash.
“Krishtlindja është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë. Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar dhe paçi një ditë të gëzuar e të begatë me më të dashurit tuaj. Uroj që mirësia e Zotit t’ju përcjellë gjithmonë dhe dashuria për tjetrin t’ju shtohet përherë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ipeshkvi i Kosovës, Dedë Gjergji, në meshën solemne të Krishtlindjes në mesnatë ka bërë thirrje për stabilitet politik në Kosovë, duke shtuar edhe atë për shpejtimin e hapave drejt integrimit evropian.