Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Skenderaj, Hysni Mehani dhe aktivisti Bahri Zabeli kanë thënë se janë sulmuar nga kryetari i kësaj komune që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, dhe atë që e kanë quajtur banda e tij. Por në një reagim më vonë, Lushtaku ka mohuar se e ka sulmuar Mehanin e Zabelin, porse ka thënë se qytetarët reaguan pas etiketimeve "Sami Serbia". Spitali në Mitrovicë ka bërë të ditur se dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas lëndimeve në kokë.
Rasti fillimisht u publikua nga Zabeli në Facebook, shkrim që u postua në emër të Mehanit, ku ai lajmëronte se është rrahur nga “banda e Sami Lushtakut” dhe se ia kanë marrë telefonin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMë pas reagoi Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka thënë se Mehani u sulmua kur po pinte kafe me ish-deputeten e Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë në një kafene të Skenderajt nga Lushtaku dhe truprojat e tij. Ata kanë publikuar edhe foton se si duket Mehani, i cili shihet i gjakosur në fytyrë. Mehani së fundmi u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Financave.
“Sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së”, thuhet në reagim.

E Lushtaku në reagim ka thënë se pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi ta sulmonte në Skenderaj. Por shtoi se etiketimet si “Sami Serbia” nuk i durojnë më qytetarët, prandaj edhe reaguan, duke aluduar se nuk ishte ai që ka sulmuar.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si "Sami Serbia" qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Pamje nga sulmi: VIDEO
Sipas VV-së, Mehani fillimisht është goditur me grusht e më pas edhe gotë në kokë. Sekretari i Qendrës, Bahri Zabeli, u mundua ta qetësonte situatën, por sipas VV-së, edhe ai u sulmua nga shoqëruesit e Lushtakut. Mehani aktualisht po merr trajtim mjekësor.
“Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor”, vijon reagimi i tyre.
Sipas partisë, ky sulm fizik tregon se këta njerëz nuk e kanë vendin në institucione.
“Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë për se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucione publike qendrore e lokale. Kërkojmë nga organet kompetente të trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Po ashtu, kërkojmë nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti. Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës”, vazhdon reagimi i tyre.
Ndërkohë nga Spitali i Përgjithshëm “Dr., Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, kanë treguar për gjendjen e Mehanit dhe Bahri Zabelit.
Nga Spitali është thënë se po kryhen ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe se njëri ka lëndime fizike në fytyrë dhe kokë e tjeri gërvishtje.
“Spitali i Përgjithshëm "Dr. Sami Haxhibeqiri" në Mitrovicë, konfirmon se në ora 13:10, dy persona nga Skenderaj kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente. Të dy personat kanë shenja- lëndime, njëri fizike në fytyrë dhe kokë, kurse tjetri lëndime/gërvishtje fizike. Aktualisht, ekipet mjekësore janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme mjekësore, përfshirë konsultimet nga ekipet mjekësore të reparteve të tjera”, thuhet në postimin të spitalit në Facebook.
E Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur veprimet hetimore për rastin.
“Prokurorja kujdestare e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, së bashku me Policinë e Kosovës – Drejtorinë e Krimeve të Rënda janë duke shkuar në vendngjarje, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për rastin”, ka njoftuar për KOHËN zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
Musliu thotë se Njësia Speciale është dërguar në Skenderaj
Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, derisa ka publikuar një video ku shihen forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, t’i tërheqë ata duke deklaruar se janë në komunën e Skenderajt.
Në profilin e saj në Facebook ka shkruar se përdorimi i institucioneve shtetërore dhe aparatit të pushtetit kundër një komune përbën abuzim serioz të shtetit.
Ka shtuar se veprime të tilla thellojnë përçarjet dhe nxisin tensionet.
“Përdorimi i institucioneve shtetërore dhe aparatit të pushtetit kundër një komune vetëm se nuk mund të depertosh politikisht përbën një abuzim serioz të pushtetit. Veprime të tilla thellojnë përçarjet, nxisin tensionet dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në një mjedis ku dhuna normalizohet. Albin mos nxit dhunë tërhiqi forcat speciale nga Skenderaj”, ka shkruar ajo.
Dy persona arrestohen për sulmin ndaj Mehanit, Lushtaku s’i përgjigjet ftesës për intervistim
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se dy persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë për sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani i cili është edhe kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj dhe aktivistit Bahri Zabeli.
Por, sipas njoftimit të Prokurorisë, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim. Në cilësinë e viktimave sipas njoftimit janë intervistuar Mehani dhe Zabeli. Gjithashtu janë intervistuar edhe pesë dëshmitarë.
“Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Mehani, Zabeli e edhe Vetëvendosja, kanë thënë se sulmi është kryer nga kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij.
Mirëpo, Lushtaku përmes një postimi në Facebook, e ka mohuar se e ka kryer vetë sulmin.
Deliu-Kodra: Dhuna s’është zgjidhje, por as provokimet jo
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas rrahjes që ndodhi gjatë ditës së sotme në Skenderaj, për të cilën kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj njëherit zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, thotë se është sulmuar nga kryetari i kësaj Komune Sami Lushtaku dhe rojat e tij.
Deliu-Kodra ka thënë se dhuna nuk është zgjidhje, por as provokime e linçimet nuk janë.
Lushtaku në reagimin pas sulmit tha se është quajtur “Sami Serbia” dhe për këtë kanë reaguar qytetarët ndaj Mehanit.
“Dhuna nuk është zgjidhje. Por as provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike nuk janë. Sepse kur për vite të tëra instalohet gjuha e urrejtjes, e përçarjes dhe e dehumanizimit, pasojat nuk vonojnë. Njëra e sjell tjetrën. Gjithmonë kështu ka qenë. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për përmbajtje dhe respekt në diskursin publik. Për ndalim të gjuhës që prodhon konflikt, e jo për ushqim të saj”, thuhet në reagimin e Deliu-Kodrës.
Kurti për sulmin ndaj Mehanit: Veprimet e tilla nuk na trembin, organet e rendit të veprojnë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur të papranushëm sulmin ndaj kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për deputet, Hysni Mehanit në Skenderaj.
Ai ka thënë se sulmet e tilla nuk i trembin e as nuk i shtyjnë të tërhiqen nga gara politike në asnjë qytet.
“Teksa po përgatiteshim për mbledhjen e Qeveris, na erdhi lajmi se kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet”, ka thënë ai.
Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që me urgjencë të marrin veprime ndaj përgjegjësve të këtij sulmi.
“Nga kjo mbledhje u bëjmë thirrje organeve të rendit që me urgjencë të marrin veprime ndaj përgjegjësve të këtij sulmi”, ka thënë ai.
LDK-ja dënon dhunën në Skenderaj: Kosova ka nevojë për maturi dhe debat demokratik
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar dhunën që ndodhi sot në një kafene në Skenderaj ku u rrah kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani dhe një aktivisht, duke shprehur shqetësim për, siç thuhet, klimën e rrezikshme të gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe terrorit digjital në vend.
Në reagimin e saj, LDK-ja vlerëson se retorika përçarëse dhe denigruese, e cila sipas partisë është normalizuar në hapësirën publike dhe digjitale, po cenon sigurinë publike dhe po krijon një ambient ku dhuna mund të shihet si mjet i pranueshëm i përballjes politike.
“Gjuha e urrejtjes prodhon tension, cenon sigurinë publike dhe krijon ambient ku dhuna rrezikon të shihet si mjet i pranueshëm i përballjes politike. Kjo është e papranueshme për një republikë demokratike”, thuhet në reagim.
LDK-ja ka theksuar se mospajtimet politike duhet të mbesin brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare, duke shtuar se Kosova ka nevojë për debat politik dhe garë idesh, e jo për linçim, frikësim apo sulme ndaj kundërshtarëve politikë.
Partia u ka bërë thirrje të gjithë akterëve politikë, institucioneve dhe shoqërisë që të kontribuojnë në ruajtjen e një klime të qetë demokratike dhe në respektimin e kulturës së komunikimit publik.
LDK-ja ka theksuar se Kosova ka nevojë për maturi politike, përgjegjësi shtetërore dhe sundim të ligjit, ndërsa ka kërkuar që çdo akt dhune, gjuhë urrejtjeje dhe përpjekje për intimidim politik të refuzohet qartë nga të gjithë.
Mehani e ka akuzuar kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, se e sulmuan bashkë me bandën e tij.
Haxhiu reagon pas sulmit në Skenderaj: Institucionet përgjegjëse të veprojnë menjëherë
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse të veprojnë menjëherë, pasi në Skenderaj u sulmuan zëvendësministri në detyrë i Financave, Hysni Mehani dhe kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Bahri Zabeli.
“Dhuna fizike në jetën publike është cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë së qytetarëve, i lirisë së veprimit politik dhe i vetë kulturës demokratike. Mandati publik nuk është strehë për arrogancë, as mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik. Ftoj organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë, me profesionalizëm dhe pa asnjë hezitim, në mënyrë që çdo person i përfshirë, të përballet me drejtësinë dhe të japë përgjegjësi para ligjit. Hysni Mehanit i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në angazhimet e tij publike. Familjes së tij, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve u bëj thirrje për përmbajtje, qetësi dhe besim në institucionet e Republikës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Lidhur me sulmin ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ajo ka thënë se autorët e sulmit duhet ë përballen me drejtësinë pa asnjë vonesë.
“Sulme dhe sulmues të tillë i njohim mirë. Synojnë që fushata zgjedhore të jetë e përcjellë nga dhuna, frikësimi dhe logjika e forcës, të cilat nuk kanë vend në Republikën tonë. Këto janë metoda primitive të betejës politike të atyre që shtetin e shohin si pronë private dhe sundimin e ligjit e shtetin e së drejtës si padrejtësi dhe provokim. Pres që institucionet e rendit të reagojnë menjëherë dhe pa kompromis. Autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë pa asnjë vonesë. Kjo Republikë e ky shtet nuk i nënshtrohet dhunës. Pikë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.