Arbëri

Mehaj thotë se Kosova është e sigurt, por bën thirrje për gjakftohtësi

Situata gjeopolitike ka ndryshuar në shumë vende, është vlerësimi që e ka paraqitur sot ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Sidoqoftë, në një konferencë për media ai ka deklaruar se Kosova është e sigurt. Mehaj nuk ka komentuar mbi deklaratat e krerëve të Serbisë se Prishtina po nxit luftë me suspendimin e gjyqtares Liljana Stevanoviq

Për koordinimin e mirë me KFOR-in dhe mosrënien në provokimet e Serbisë ka folur sot ministri i Mbrojtjes i vendit.

Këto mesazhe Armend Mehaj i përcolli në një konferencë për media, teksa iu kërkua koment për deklaratat e homologut të tij serb, Aleksandar Vulin, i cili suspendimin e gjyqtares Liljana Stevanoviq e quajti “hap të parë drejt përfshirjes së Serbisë në konflikte të armatosura në Kosovë që po i përgatisin shqiptarët”.

Mehaj deklaroi se Kosova nuk e ka sulmuar kurrë askënd dhe se Serbia është ajo që përbën faktor destabilizues për rajonin.

“I përcjellim ngjarjet jo vetëm në rajon, por edhe jashtë rajonit. Gjeopolitikisht, situata ka ndryshuar në shumë vende. Ne nuk biem pre e fjalëve, të kërcënimeve, shantazheve të rreme, siç ka bërë Serbia gjatë tërë këtyre viteve. Ne e ruajmë atë gjakftohtësinë. Kosova është e sigurt, i ka institucionet e sigurisë, ne jemi në bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in, kështu, siç tha një plak, merru me atë që e di e njerëzit le të flasin sa të duan”, ka thënë Mehaj.

Mehaj foli edhe për punën njëvjeçare të dikasterit që drejton. Si arritje e përmendi rritjen e buxhetit për FSK-në për këtë vit dhe shpenzimin e tij gjatë vitit të kaluar.

“Arritje e jashtëzakonshme me mbështetje nga Qeveria ka qenë edhe buxheti i ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 103 milionë euro për vitin 2022, vlerë kjo dyfish më e madhe se në vitin paraprak. Buxheti i vitit 2021 është realizuar me 96 për qind, domethënë jo vetëm buxheti, por plus atë mbështetjen që e kemi marrë nga Qeveria me 21 milionë shtesë, prapë kemi arritur ta shpenzojmë 96 për qind të buxhetit”, ka thënë tutje ai.

Ministri i Mbrojtjes po ashtu bëri të ditur se Forca e Sigurisë e Kosovës edhe sivjet do të marrë pjesë në “Defender Europe”.