Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se përballë zhvillimeve të fundit në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë, janë të përkushtuara për t'iu përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit, ashtu edhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook ai ka shkruar se bashkë me Policinë e Kosovës dhe me të gjithë komponentët e sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, shteti i Kosovës do ta ruajë kompaktësinë e veprimeve në mënyrë racionale, përmes rrugësh institucionale dhe me qasje koordinuese gjithëpërfshirëse.
Mehaj ka deklaruar se Kosova ka dalëzotësit e saj dhe ajo është e mbrojtur nga djem dhe vajza brenda dhe jashtë institucioneve.
Sipas tij, Kosova mbetet e pacenueshme dhe e vendosur në përpjekjen e saj legjitime dhe të drejtë për shtrirjen e sovranitetit dhe për të mbrojtur si territorin ashtu edhe qytetarët e saj.
“Veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore dhe hegjemone të Serbisë autoritare dhe proruse në Ballkan. Çdo përpjekje për depërshkallëzim, duhet të llogarisë edhe mungesën e vullnetit të Serbisë për të ofruar zgjidhje për aktin e djeshëm, si dhe veprimet e saj të vazhdueshme provokuese dhe nxitëse karshi Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Tutje ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet t'i dënojë veprimet e Serbisë dhe duhet t'iu qëndrojë deri në fund pranë palëve, sipas gatishmërisë së tyre përkatëse, drejt gjetjes së rrugëve të depërshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.