Arbëri

Mehaj i reagon Vuçiqit për dronët: Kosova është më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet

Armend Mehaj

Foto: Arkiv

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se do t'ia rikujtojë presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Kosova është më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet. 

Në një përgjigje për reagimet e Vuçiqit për mbërritjen e mijëra dronëve kamikazë nga Turqia në Kosovë, Mehaj ka thënë se paqja në Ballkan është më se e domosdoshme dhe kjo arrihet vetëm me respekt dhe bashkëpunim.

“Ndërsa sa i përket reagimeve të presidentit serb rreth ardhjes në Kosovë të dronëve kamikaz, dua t’i kujtoj Vuçiqit dhe çdo udhëheqësi tjetër serb se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet... Me këtë rast, bëjmë thirrje që Serbia ta shmangë retorikën luftënxitëse dhe një herë e përgjithmonë të shkëputet nga politika e ish diktatorit Millosheviq”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai ka thënë se “ka edhe shumë marrëveshje të tjera që do te përmenden më vonë, dhe ka shumë armatim që as në ëndërr nuk e kemi parë më parë. Këto punë i kam kryer bashkë me ekipin në Ministrinë e Mbrojtjes, jo vetëm”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq reagoi me tone të ashpra, duke akuzuar Turqinë për “shkelje të ligjit ndërkombëtar” dhe për “destabilizim të Ballkanit Perëndimor”.

“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, si dhe nga armatosja e mëtejshme e autoriteteve në Prishtinë”, shkroi Vuçiç në rrjete sociale.

Mehaj ka thënë se gjatë kohës kur ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ka nënshkruar marrëveshjet e parë shtet me shtet me Tuqinë, e cila sipas tij, “kishte për qëllim furnizimin me kapacitete dronë Bayraktar, dronë Puma, dronë, kamikaz dhe shumë armatim tjetër.

Kjo marrëveshje nuk është bërë publike menjëherë, ashtu siç kishim rënë në ujdi me partnerin tonë, për arsye konfidencialiteti dhe sigurie operacionale. Tani që dërgesat janë të dukshme për të gjithë, është e rëndësishme të sqaroj një gjë: mënyra se si u arritën marrëveshjet shtet me shtet shpesh është keqkuptuar”.

“Këto marrëveshje na japin mundësinë të porosisim pajisje të ndryshme, sipas nevojave profesionale, nëse kemi buxhet dhe një vizion të qartë zhvillimor për ushtrinë tonë”, ka shkruar Mehaj. 

Kontejnerët me mijëra dronë të avancuar kamikazë “Skydagger”, të prodhuar në Turqi, kanë mbërritur të mërkurën në Prishtinë, sipas kontratës me kompaninë e mbrojtjes “Baykar”.