Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mediat serbe raportojnë për vendimin e Apelit për t’ia lënë 4 hektarë të UP-së kishës ilegale serbe

Mediat në Serbi kanë komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, që konfirmuar vendimin e shkallës së parë, sipas të cilit toka përreth kishës së papërfunduar “Shpëtimtari i Krishtit” në Prishtinë i takon kësaj kishe, transmeton Koha.net.

Sipas raportimit të RTS-it të Beogradit, katër hektarë tokë në Prishtinë (bëhet fjalë për kishën ilegale serbe, të ndërtuar në vitet e okupimit serb gjatë fundshekullit të kaluar – sqarim ynë) mbesin në pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Madje RTS thirret në burime të afërta të gjyqësorit kosovar, sipas të cilave Gjykata e Apelit këtë vendim e ka marrë nga fundi i shtatorit dhe se ajo u është dorëzuar palëve, të përfshira në këtë proces, në fillim të këtij muaji.

“Katër hektarë tokë përreth kishës së papërfunduar mbeten në pronësi të Kishës Ortodokse Serbe”, theksohet t’i jetë thënë në gjykatë.

këtë vendim, për herë të dytë është hedhur poshtë si i pathemeltë padia e Drejtorisë (kështu e quan ky medium Rektoratin v.j.) së Universitetit të Prishtinës, e cila që nga viti 2015 me rrugë gjyqësore ishte përpjekur të kontestojë të drejtën e pronës Kishës Ortodokse Serbe ndaj kësaj sipërfaqeje, raporton RTS, transmeton Koha.net.

Sipas medies serbe: “Sekretariati për urbanizëm, ndërtimtari dhe mbrojtje të mjedisit jetësor i Kuvendit të qytetit të Prishtinës më 15 shkurt të vitit 1999 i ka dhënë lejen Kishës Ortodokse Serbe për ngritjen e kishës. Sipas këtij dokumenti lejohet ndërtimi i kishës Krishti i Shpëtimit në Prishtinë, në adresën – Rruga e Valevës numër 4”.

Koha.net rikujton se kjo kishë është ndërtuar në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, që i është dhënë në pronësi qysh para shumë dekadash me dokumente të ligjshme kadastrale, të ndryshuara gjatë pushtimit nga regjimi i Milosheviqit, që kishte filluar madje para datës së njohur si përudhë pushtuese nga UNMIK-u pas përfundimit të luftës, që është 22 marsi i vitit 1989. Me një rregullore, që ka fuqi ligji, UNMIK-u në fakt i konsideron të paligjshme të gjitha vendimet e marra pas kësaj date nga pushteti në Kosovë.

Ja çfarë thuhet në Rregulloren e UNMIK-ut nr. 1999/24:

« RREGULLORE NR. 1999/24

UNMIK/RREG/1999/24

12 dhjetor 1999

PËR LIGJIN NË FUQI NË KOSOVË

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm,

Në përputhje me autorizimin që i është dhënë me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të datës 10 qershor 1999,

Duke marrë parasysh Rregulloren nr. 1999/1 të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) mbi Autoritetin e Administratës së Përkohshme në Kosovë të datës 25 korrik 1999,

Me qëllim të përcaktimit të ligjit në fuqi në Kosovë,

Shpall sa vijon:

Neni 1

LIGJI NË FUQI

1.1 Ligji në fuqi në Kosovë përfshin:

(a) Rregulloret e shpallura nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me to dhe

(b) Legjislacionin në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989.

Në rast konfliktesh do të mbizotërojnë rregulloret dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me to.

1.2. Në qoftë se një gjykatë e juridiksionit kompetent, një organ ose një person që duhet të zbatojë një dispozitë të legjislacionit, konstaton se një çështje ose një situatë nuk mund të mbulohet nga legjislacioni i përcaktuar në paragrafin 1.1 të kësaj rregulloreje, por mbulohet nga një ligj tjetër në fuqi në Kosovë pas 22 marsit 1989, i cili nuk është diskriminues dhe është në përputhje me nenin 1.3 të kësaj rregulloreje, atëherë gjykata, organi ose personi, si përjashtim, e zbaton atë ligj.

(...)”