Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Me aktivitete të ndryshme është shënuar në Kosovë 4 Korriku

Përvjetori i 246-të i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shënuar në Kosovë me aktivitete të ndryshme. Në këtë ditë qytetarë e përfaqësues shtetërorë rikujtuan mbështetjen e SHBA-së në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Por, u shprehën edhe brenga për raportet aktuale të cilat, sipas analistëve politikë, nuk janë në nivelin e dëshirueshëm.

Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çlirimin e Kosovës u vlerësua lart nga qytetarët në përvjetorin e 246-të të Pavarësisë së këtij shteti.

4 korriku për qytetarët Sabit Jetullahu dhe Xhavit Kameri është edhe festë e tyre.

“Dita e Pavarësisë së Amerikës – dashtë Zoti veç 5 për qind ju përngjajmë atyre se ata janë të mrekullueshëm. Po të mos ishte Amerika nuk do të ishim ne sot. Amerika na ka ndihmuar, na ka shpëtuar në luftën me Serbinë që është bërë”, ka thënë Sabit Jetullahu, qytetar.

“Kjo ditë ka rëndësi se Amerika është shtet i madh, na ka ndihmuar shumë neve. Vetë kam qenë ushtar në zonën 114. Me ndihmën e amerikanëve, Bill Klintonit dhe gjithë atyre prezantuesve në Amerikë sot e gëzojmë Pavarësinë”, ka thënë Xhavit Kameri, qytetar.

Por, njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, konstaton se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në nuk janë siç kanë qenë më parë.

Edhe Në 249-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së kërkohet më shumë investim në forcimin e raporteve Arbëri Në 249-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së kërkohet më shumë investim në forcimin e raporteve

“Dy arsye kryesore janë çështja e gazsjellësit dhe Ballkani i Hapur’ me të cilat lidershipi aktual kosovar ka mospajtime të thella me SHBA-në. Po natyrisht asnjë problem, asnjë konflikt politik nuk mund ta cenojë raportin e popullit të Kosovës me SHBA-në si shtet dhe si ide”, ka thënë Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike.

Për të treguar mirënjohje ndaj Shtëpisë së Bardhë për kontributin që ka dhënë për Kosovën, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë u vendos një flamur i ri i SHBA-së nga FSK-ja.

Organizatorët e kësaj ngjarjeje thanë se duhet të ruhen raportet me këtë vend.

“Është viti i 18 që veprojmë në forma të ndryshme me qëllim që t’iu tregojmë shtetasve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës se populli i Kosovës, në veçanti populli shqiptar është falënderues për veprimet e juaja”, ka thënë Agim Rexhepi nga shoqata “Miqtë e Amerikës”.

Në fuqizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve rol të rëndësishëm ka pasur lobi shqiptar në Amerikë. E, sipas Artan Muhaxhirit, roli i këtij lobi duhet riorientuar.

Edhe Në përvjetorin e pavarësisë, SHBA-ja vlerësohet për kontributin në shtetndërtimin e Kosovës Arbëri Në përvjetorin e pavarësisë, SHBA-ja vlerësohet për kontributin në shtetndërtimin e Kosovës

“Tani ka ndryshuar edhe formati i kontributit. Mendoj se tani kontributi duhet të jetë më shumë ekonomik në mundësimin e investimeve të kompanive të mëdha amerikane, por asnjëherë natyrisht pa e zbehur edhe rolin politik”, ka thënë ai.

Në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së edhe krerët institucionalë kanë shprehur mirënjohje për kontributin që për Kosovën ka dhënë ky shtet. Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se mbështetja e Uashingtonit ka qenë jetike për vendin. Ndërkaq kryekuvendari Glauk Konjufca 4 korrikun e quajti datë të rëndësishme për Kosovën.