Me iniciativë të mërgatës dhe mbështetje nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 14 shtator në Hagë pritet të mbahet një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët janë duke u gjykuar për krime lufte. Kryetari i OVL së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se protesta do të mbahet një ditë para fillimit të dëshmisë së mbrojtjes
Në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më 14 shtator në Hagë pritet të mbahet një protestë, e organizuar nga mërgata dhe me mbështetje nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së.
Kjo protestë është thirrur pas asaj të 7 gushtit që u mbajt në Prishtinë, në të cilën qytetarë të shumtë shprehën revoltë ndaj gjykatës me seli në Hagë, për të cilën thanë se ka devijuar nga misioni.
Kryetari i OVL së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se protesta do të organizohet për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj Dhomave të Specializuara.
“Arsyeja pse mbahet kjo protestë më 14 shtator, më datën 15 shtator do të jetë dëshmitari i parë që do të jetë i mbrojtjes tonë, është nga Amerika dhe ne do të dalim në mbështetje të tyre dhe do të dalim t’i drejtojmë të gjitha pakënaqësitë tona, që ajo gjykatë është duke punuar dhe vepruar. Gjithçka mund të ketë aty, mund të thirret edhe në emër të drejtësisë, por drejtësi nuk ka në atë gjykatë dhe ne si organizata të dala nga lufta kemi shprehur në moment të caktuar që t’i dalim në mbështetje bashkëluftëtarëve tanë, nga Amerika dhe Evropa, që t’i bashkëngjitemi kësaj proteste”, ka thënë Gucati.
E, Fatmir Koca, njëri nga organizatorët e protestës nga mërgata, ka thënë se qëllimi i saj është që t’i tregohet botës që lufta e Kosovës ka qenë e drejtë.
“Luftën e kemi fituar me gjakun e dëshmorëve dhe bashkëpunimin e aleatëve tanë. Kemi interesim të madh nga mërgimtarët gjithandej diasporës, nga Amerika, nga Australia e Largët edhe Evropa, që më 14 shtator të jemi të gjithë të bashkuar dhe është koha e fundit që të jemi bashkë dhe t’i tregojmë botës që lufta jonë ka qenë e drejtë dhe kjo gjykatë që po mbahet ndaj krerëve të luftës është e padrejtë”, ka thënë Koca.
Ndërsa Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjes së Dëshmorëve, ka thënë se përmes kësaj proteste do të tregohet se në Hagë në emër të drejtësisë po ndodh padrejtësi.
Nga 15 shtatori, mbrojta e ish-krerëve të UÇK-së do ta nisë paraqitjen e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ata janë duke u mbajtur në paraburgim nga viti 2020.