Arbëri

Mbyllet për qarkullim ura e Badovcit, qytetarët shfrytëzojnë rrugë të paasfaltuar

Tash e gati dy javë ura e Badovcit në rrugën kryesore Prishtinë – Gjilan është mbyllur për qarkullim për shkak të rrezikshmërisë që paraqet. Ministria e Infrastrukturës ka nisur me projektimin e urës së re, e deri në finalizim të këtij projekti, qytetarët po detyrohen të shfrytëzojnë një rrugë alternative të paasfaltuar

Ura në Liqenin e Badovcit tek rruga kryesore Prishtinë-Gjilan është mbyllur para rreth dy javësh, meqë po konsiderohet e rrezikshme për qarkullim. Për pasojë, qytetarët janë duke e përdorur për qarkullim një rrugë alternative rreth 2 kilometra të paasfaltuar.

Për mbylljen e urës, rekomandimi është bërë nga një komision i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Qytetarë që të dielën frekuentuan këtë pjesë thanë se mbyllja e urës dhe detyrimi për t’i rënë rrugës alternative të paasfaltuar po u shkakton probleme të shumta.

“Për udhëtim po e kemi më gjatë rrugën. Do të thotë që vonohemi, se prej punës shkoj në shtëpi, se jetoj në Hajvali. Shkoj në Marec dhe vonohna shumë. Edhe dëmtimi i veturës – dihet ajo – është për çdo veturë shumë më i rëndë se sa me kalu rrugën”, ka thënë qytetari Agim Pacolli. “Kishin pas ëmundësi të bëjnë një zgjedhje, një asfaltim të përkohshëm edhe do të ishte më mirë... Këqyre natyrës çka i bënë, se le më tjetër”.

Ankesa të përafërta pati edhe nga të tjerë.

“Probleme na shkakton më së pari në automjete, në kohë, në pluhur, n’tana anët, edhe nuk është duke punuar askush”, ka thënë qytetari tjetër Aziz Vrajolli.

Sipas qytetarëve, problemi në urë nuk është i ri.

“Duhet me u zgjidh problemi njëherë e përgjithmonë. Kjo ka qenë diçka ngjashëm menjëherë pas lufte. Tash prapë e dyta herë kjo n’këtë vit”, theksoi Musli Doda që po kalonte në këtë rrugë.

E Hafiz Maliqi, qytetar tjetër, u shpreh se rinovimi duhet të bëhet sa më shpejt.

“Duhet sa ma shpejt me e renovu, përndryshe është katastrofë kjo rruga këtu. Po pluhnohen, dëmtohen veturat tona... Gjithçka është problem”, ka thënë ai.

E në një përgjigje për KOHËN, Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, tha se rruga alternative do të asfaltohet së shpejti. Sipas tij, edhe projektimi për ndërtimin e një ure të re ka filluar.

“Kompania projektuese e ka marrë detyrën projektuese dhe ka filluar me hartimin e projektit kryesor për urën e Badovcit. Posa ta kemi projektin do të fillojmë me procedurat e prokurimit për ndërtimin e urës. Për qarkullim të automjeteve do të shfrytëzohet bajpasi deri në momentin e ndërtimit të urës së re. Kur ta kemi projektin e dimë koston dhe kohëzgjatjen e ndërtimit”, ka thënë Durmishi në një përgjigje me shkrim.

Aktualisht Ministria nuk ka një projekt dhe nuk janë hapur procedurat e tenderimit, ndërsa nuk dihet se sa do të kushtojë projekti për ndërtimin e urës së re e cila lidh kryeqytetin me Komunën e Gjilanit.

Kjo urë ishte dëmtuar edhe gjatë vërshimeve të janarit të këtij viti.